Emrat shqiptarë të rrugëve përsëri ngjallin ankesa

0

Përfaqsuesit e partive serbo-malazeze në komunën e Ulqinit, vazhdojnë ta kenë problem vendosjen e emrave shqiptarë për rrugët dhe bulevardet e qytetit.

Kryetari i degës së Frontit Demokratik në Ulqin, Millan Rolloviq, ankohet se nuk është respektuar procedura ligjore dhe se me këtë duhet përsëri të merret Gjykata Kushtetuese, shkruan “Dan”.

Edhe pse është e qartë që pengesa kryesore është heqja e disa emrave serbo-malazez dhe vendosja e atyre shqiptarë, përfaqsuesit e këtyre partive vazhdojnë të fshehen pas procedurave.

Edhe kryetari i bashkësisë lokale të Shtojit Viktor Makoviq, ka ankesat e veta. Ai thotë se emrat e disa rrugëve, të cilat me propozimin e ri do të kenë vetëm numra, duhet të mbesin si më pare. Si p.sh. Rruga e Carit, Rruga e Qehajes, e Rudoviqve, Bregvija etj. Ajo cka Makoviq ndoshta harron është se edhe banorët e atyre rrugëve që mbajnë emrat si Tutinska, Beogradska e të ngjajshme do të kërkonin një gjë të tillë. Është e vërtetë që këto emra janë shumë më të vonshëm se ato që përmend Makoviq, por koha nuk përbën njësi matëse për miratimet ligjore të rrugëve.

Kryetari i Këshillit për emërtimin e rrugëve bulevardeve dhe institucioneve Nail Draga, para disa kohëve argumentoi qartë se emrat janë vendosur mbrenda të gjitha rregullave duke respektuar maksimalisht strukturën e popullsisë së qytetit.

Përveç Dragës, antarët e këtij këshilli janë: Fadil Salaj (PD), Xhaudet Cakuli (Forca), Mehmet Bardhi (LdneMZ), Beqir Zati (UDSH), Sabri Halili (PD), Shuquri Resulbegoviq (SDP),  Millan Rolloviq (FD), dhe përfaqsuesi i OJQ-ve.