Ekspozitë e dëshmive të shpëtimit të hebrejve në Kosovë

0

Ekspozitat e ndryshme artistike paraqesin një moment të veçantë për autorin dhe mjedisin përkatës. Por, kur kemi të bëjmë me ekspozita të veçanta tematike përkatësisht fotografike, del qartë se kemi të bëjmë me një qasje specifike, qoftë për një mjedis të caktuar apo ngjarjet që lidhën me rrethanat e kohës të cilat ata pasqyrojnë.

Pikërisht e tillë është ekspozita e fotografive e cila po hapet sot nga Qendra Kulturore në bashkëpunim me Shoqatën e Miqësisë Kosovë-Izrael “Dr. Haim Abravanel” nga Prishtina me titull “Shpëtimi i Hebrejve në Kosovë gjatë Holokaustit”. Një ekspozitë e tillë është hapur në disa qytete të Kosovës e po ashtu edhe në Shqipëri dhe ja së fundit edhe në Ulqin.

Shqiptarët si një ndër popujt më të vjetër të Europës, kontaktet e para me popullin hebre i kanë pasur që në kohën antike, përkatësisht në shekullin e parë të erës sonë, në brigjet e Ilirisë pikërisht ne regjionin e Vlorës. Ishte ky kontakti parë i cili ka vazhduar më pas edhe në Mesjetë(shek.XV), kur u bë ndjekja e tyre nga Siujdhesa Iberike, ku një numër i konsideruar i tyre është vendosur në kuadër të Perandorisë Osmane e në veçanti në trojet shqiptare.

Por, me ketë rast dua të ceki se në shek.XVII, përkatësisht në vitin 1666 në Ulqin vendoset Sabataj Zevi i njohur si reformator i Talmudit por i detyruar të emigrojë nga qyteti i Izmirit, i cili në Ulqin u vendos në Kala në Kullën e Balshajve, pikërisht në këtë objekt ku po hapim ketë ekspozitë. Duhet cekur se ai këtu u vendos me 30 familje ku qendroj dhjetë vite deri sa vdiq në vitin 1676.

Por, historia e marrëdhënieve të shqiptarëve me hebrejt është e veçantë, ne mes të dy luftërave botërore e sidomos gjatë Luftës së Dytë Botërore, ku Shqipëria u bë atdheu i dytë, sepse këtu ata gjetën shpëtimin e tyre. Ishte kjo koha e shfarosjës së tyre nga nazistët ku llogaritet se kanë humbur jetën rreth 7 milionë hebrej. Por, diçka e tillë nuk ka ndodhur në Shqipëri dhe në trojet tjera shqiptare, sepse shqiptarët vepruan mbi bazën e Kodit moral të besës që ka qenë vlera themelore e tyre që nënkupton ndihmën për tjetrin. Shqiptarët të përndjekurve hebrej iu ofruan “bukë, kripë e zemër”, sipas traditave të tyre shekullore. Gjatë kësaj kohe hebrejt bashkëjetuan gjatë me shqiptarët në shumë qytete të Shqipërisë dhe të viseve të tjera shqiptare, duke dhënë kontribut në shumë fusha të veprimtarive shoqërore. Janë të njohur persona të ndryshëm të këtij komuniteti që nderohen me respekt edhe në ditët tona.

Shqiptarët si askush tjetër kanë rrezikuar vetën dhe nuk kanë dorëzuar asnjë hebre të nazistët. Dhe nga një veprim i tillë shpjegohet fakti se në fund të Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri kishte më shumë hebrej se sa në fillim të saj. Ishte ky një mison human i shqiptarëve qe nuk ishte i tillë me popujt tjerë ballkanik të cilët kishin sjellje të kundërt ndaj tyre.

Identike ishte situata edhe në Kosovë, ku një numër i konsideruar i familjeve shqiptare edhe këtu kanë rrezikuar vetën për të mbrojtur hebrejt. Një dëshmi e tillë autentike na paraqitet edhe përmes kësaj ekspozite fotografike. Janë të prezantuar pikërisht kryefamiljarët e familjeve përkatëse të cilat kanë sakrifikuar shumë për kodin e besës shqiptare për të mbrojtur të rrezikuarit.

Duhet cekur më ketë rast familjen Rezniqi por edhe të tjerat anë e kënd Kosovës si nga Deçani, Peja, Gjakova, Gjilani etj. Secila nga to ka një histori në vete, për rrethanat e kohës që kanë mbetur në kujtesën e popullit tonë.

Pas rënies së sistemit komunist në Evropën Juglindore, e më te edhe në hapësirën shqiptare u fillua të flitet dhe të shkruhet haptazi për këto veprime dinjitoze të familjeve shqiptare.

Çështja e shpëtimit të hebrejve në Shqipëri e viset tjera shqiptare është bërë e njohur nga institucioni “Yad Vashem”, që është autoriteti qendror i përkujtimit të martirëve dhe heronjve të Holokaustit, me seli ne Jerusalem. Duhet cekur me ketë rast se qendrimi i familjeve shqiptare dhe humanizmi i treguar është vlerësuar nga popullli izraelit sepse janë njohur zyrtarisht dhe dekoruar 70 shqiptarë me titullin “Fisnik mes kombeve”.

Edhe hapja e kësaj ekspozite sot në Ulqin, ka misionin e saj njohës me vlerat etike të popullit tonë duke njoftuar opinionin e gjerë për sakrificat në strehimin dhe shpëtimin e familjeve hebreje gjatë kohës së Holokaustit në Kosovë në kohën e Luftës së Dytë Botërore, si askush tjetër në regjion dhe më gjerë.

Dr.Nail Draga

(Fjala e mbajtur me rastin e hapjes së ekspozitës në Galerinë e artëve në Kullën e Balshajve – Ulqin me 12.9.2015)

1