Edhe një shqiptar nga Kosova vritet në Siri

0

Bekim Mulolli, nga Prishtina, i cili duhet të gjendej në shtëpi, pasi i ishte shqiptuar masa e arrestit shtëpiak, ka vdekur para rreth dhjetë ditësh, në luftimet në Siri.

Vdekjen e Bekimit e ka konfirmuar familja Mulolli, e cila ndodhet, në lagjen Kodra e Trimave (Vranjevc) në Kryeqytet.

Familjarja e të vrarit ka rrëfyer për Gazetën Express se djali i tyre është vrarë “në tokën e Shamit” në Siri, para disa ditëve, përderisa trupi i tij ende nuk është sjellë për t’u varrosur në Prishtinë. Më pas, ekipi i Gazetës Express është përzënë nga shtëpia e familjes Melolli nga disa familjare tjera.

I vrari, Bekim Mulolli, do duhej të ishte në Kosovë pasi që është pjesë e një procesi gjyqësor të nisur kohë më parë, ku akuzohej për organizim dhe pjesëmarrje në grupe të dyshuara terroriste dhe po ashtu për sulm dhe nxitje të urrejtjes fetare.

Avokati i Bekimit, Mentor Neziri thotë se nuk është në dijeni se klienti i tij ndodhej tash e disa muaj jashtë vendit e as se ka përfunduar i vrarë.

Ai pretendon se ka kohë që nuk ka qenë në kontakt me Bekim Mulollin edhe pse vazhdon ta ketë klient.

“Qe një muaj nuk kam kontakte me të . Nuk kom informacione tjera. Nuk besoj qe ky e ka lëshuar Kosovën”, tha për Gazetën Express avokati Neziri.

Express ka tentuar të kontaktojë edhe Policinë e Kosovës për të marrë edhe versionin e tyre rreth rastit, por kontakti me ta ka qenë i pamundur.

Sipas të informacioneve jo të plota, deri më tani në Siri dhe Irak janë vrarë rreth 50 shtetas kosovarë, ndërsa në krah të organizatës së shpallur terroriste besohet se luftojnë qindra kosovarë të tjerë.