Edhe Kosova pjesë e SEECP-së

0

Kosova do të jetë pjesë e projektit rajonal SEECP, i njohur si Procesi i Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, presidencën e së cilës sivjet e kryeson Shqipëria.

Taulant Balla, nënkryetar i komisionit të Integrimit, pjesë e delegacionit të SEECP për Shqipërinë, tha se Kosova është një ndër objektivat më të rëndësishëm për Shqipërinë në Presidencën e saj të radhës, sa i përket SEECP-së.

“Për presidencën shqiptare një ndër objektivat më të rëndësishëm është përfaqësimi i plotë i Kosovës në të gjitha dimensionet dhe në të gjitha forumet e kësaj iniciative. Kosova do të marrë pjesë qoftë në grupet e punës, qoftë në Asamblenë Parlamentare, por edhe në takimet e ministrave të Jashtëm, të kryetarëve të parlamenteve, por edhe të kryetarëve të shteteve. Takimi i radhës është pas një muaj në datat 7 dhe 8 nëntor, kur kryetarët e delegacioneve në Asamblenë Parlamentare do të jenë këtu në Tiranë për të vazhduar diskutimet për disa çështje që ende nuk është rënë dakord. Pra, janë takime të grupeve të punës me kryetarët e delegacioneve, me qëllim që Asambleja Parlamentare e këtij procesi bashkëpunimi ndërmjet vendeve të Evropës Juglindore të shtrihet edhe më tej”, tha Taulant Balla, si anëtar i delegacionit shqiptar në këtë nismë rajonale (SEECP).

Lidhur me faktin se si e ka pritur Serbia, përfshirjen e Kosovës në gjithë agjendën e takimeve që Shqipëria do të organizojë me rastin e Presidencës së radhës të SEECP, Taulant Balla tha se ky është një vendim unanim, tashmë i ndërmarrë në samitin e Bukureshtit, ku kryetarët e shteteve të vendeve që janë pjesë e këtij procesi bashkëpunimi ranë dakord që edhe Kosova të ishte pjesë e kësaj nisme.

Procesi i Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), mbetet forumi më i rëndësishëm politik në Evropën Juglindore, që synon bashkëpunim për paqen, sigurinë, stabilitetin, zhvillimin ekonomik, politik e shoqëror të gjithë vendeve të rajonit. SEECP është një proces unik, i themeluar me iniciativën e vetë vendeve të rajonit, zëri i të cilave është unifikuar për problemet e përbashkëta në procesin e zhvillimit dhe integrimit në familjen evropiane.

SEECP përbëhet nga 12 vende anëtare si: Shqipëria, Bosnje dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Greqia, Maqedonia, Moldavia, Mali i Zi, Rumania, Serbia, Sllovenia dhe Turqia.