Droni: Gjykata e Arbitrazhit Sportiv pranon ankesën

0

 Gjykata e Arbitrazhit Sportiv ka njoftuar dje se ka pranuar ankesën e palës shqiptare dhe asaj serbe, pas vendimit të Komisionit Disiplinor të UEFA-s, lidhur me incidentin në ndeshjen Serbi-Shqipëri.

“Në ankesën e bërë në CAS, Federata e Futbollit e Shqipërisë dhe ajo e Serbisë kërkojnë anulimin e vendimeve të UEFA-s, ose t’ju zbuten dënimet e imponuara. Të dy procedurat janë hapur dhe do të kryhen në përputhje me kodin për arbitrazh sportiv”, – thuhet në njoftimin e CAS.

Komisioni Disiplinor i UEFA-s vendosi që Shqipëria të humbë ndeshjen në tavolinë me rezultatin 3-0 dhe të gjobitet me 100 mijë euro. Ndërsa Serbisë iu hoqën 3 pikë nga klasifikimi, u gjobit me 100 mijë euro dhe dy ndeshje pa tifozë. Pala serbe akuzohet në këtë çështje për disa pika, duke filluar nga dështimi i masave organizative, te hyrja e tifozëve në fushë, goditja e lojtarëve të skuadrës së Shqipërisë dhe koret raciste.Ndërsa pala shqiptare u akuzua për refuzim të futjes në lojë pas ndërprerjes së ndeshjes dhe hyrjen e dronit me banderolën me simbolet shqiptare. Pala jonë, e përfaqësuar nga një studio zvicerane, u paraqit në Komisionin Disiplinor të UEFA-s me kërkesën e 3 pikëve në tavolinë dhe duke akuzuar palën serbe për racizëm.