Drejtësi dhe asgjë tjetër

0

Shkruan: Marin Mema

Do të doja të dëgjoja sot qoftë edhe një nga ekspertët e mëdhej që bëjnë sikur e njohin ballkanin të më thoshte se kur një këmbë shqiptari ka shkelur në dhe të huaj si pushtues, ka vrarë njerëz të pafajshëm , ka prerë e masakruar, ka ofenduar, ka dhunuar apo ka prerë në besë. Kurrë. Ndaj edhe nuk urrejmë, ndaj edhe kemi pritur në Shqipëri, Malazezët, Grekët, Maqedonët, Bullgarët, Rumunët, Turqit e këdo me besën e burrit e civilizimit më të jashtëzakonshëm europian. Ndaj edhe Serbët do të vinin këtu pa kurrëfarë problemi sepse ne forcën e kemi tek identiteti , tek flamuri, tek shpirti, tek shqiptaria e jo tek dhuna e pabesia.

Kurrë një lojtar mik nuk është prekur sepse ne e kemi në gen të qenit të drejtë të paktën në këtë pikë. Jemi të këqinj të vetës sepse nuk bëjmë dot shtet por me miqtë e “armiqtë” jemi prapë miq e komb i besës. Historia e ka thënë me gojën e saj atë që jemi sot, një komb që nuk dhunon e që nacionalizmin e sëmurë ekstrem e përçmon.. Ne duam flamurin tonë por nuk urrejmë simbolet e të tjerëve, ne flasim shumë por nuk paragjykojmë kurrë asnjë minoritet, ne kemi vuajtur pafund por nuk kemi zgjedhur dhunën si përgjigje, ne jemi shqiptar dhe kemi pranuar që në Ballkan të bashkëjetojmë me të gjithë..

Ndaj sot bota duhet të gjykojë drejtë një komb që ka zgjedhur Europen si rrugën e tij, si stacionin e natyrshëm ku bashkohen kombet e civilizuara. Janë ato kombe që dhunën nuk e shohin si zgjidhje e drejtësinë e kanë simbol të shtetit të tyre. Këtë duam edhe ne, DREJTËSI. Asgjë më shumë. Drejtësi jo beteja, bashkëjetesë e jo luftë, bashkëpunim e jo shtytje, zgjidhje e jo urrejtje. Ne jemi shqiptarë e ju siguroj të dashur ekspertë që siç e ka shkruar historia nuk do të bëjmë kurrë asgjë për të ndezur zjarrin në tokën tonë apo të tjetërkujt. Duam vetem Drejtësi dhe asgjë tjetër.