Dr. Nail Draga: Emërtimet dëshmi e barazisë qytetare e nacionale të çdo mjedisi

0

(Përkitazi mbi shryrtimin e propozimit për emërtimin e rrugëve, shesheve dhe institucioneve   në komunën  e Ulqinit )

 

1.Emërtimet e rrugëve, shesheve dhe institucioneve paraqesin një çështje më rëndësi shoqërore, sepse ka të bëj me identitetin nacional, gjuhësor, kulturor dhe konfesional të çdo mjedisi. Në botën e qytetëruar dhe  demokratike  nga strukturat qeveritare lokale e shtetërore ekziston  kujdes i vazhdueshëm për përfaqësimin proporcional të popullatës përkatëse, sidomos kjo të bëj në mjediset mutinacionale.

Janë pikërisht emërtimet përkatëse që dëshmojnë në mënyrë publike politikën parimore të barazisë nacionale nga ana e pushtetit në mjedisin përkatës.

Por, shëmbull praktik i pabarazisë në ketë aspekt në kohën e monizmit ka ekzistuar në Ulqin, por edhe në viset tjera ku jetojnë shqiptarët në Mal të Zi. Ishte kjo koha e imponimit dhe e hegjemonizmit shtetëror, ku shqiptarët edhe pse popullsi shumicë në Ulqin, nga aspekti i emërtimeve të rrugëve, shesheve dhe institucioneve ishin tërësisht të margjinalizuar, përkatësisht të diskriminuar, ku regjistri përkatës e dëshmon në mënyrë transparente një konstatim të tillë.

Sipas të dhënave ekzistuese del  se nga 34 rrugë të emërtuara në Ulqin nga pushteti monist, nga to 29 janë më emërtime e 5 me numra. Nga  rrugët me emra 27 janë me emra të përkatësisë sllave(90%) dhe vetëm 2 më përkatësi shqiptare(10%)!!

  1. Ndonëse me një vonëse të madhe 12 vite pas miratimit të pluralizmit në Mal të Zi, në lidhje me këtë çështje me 7 maj 2002, Kuvendi i Komunës së Ulqinit ka miratuar me shumicë votash Vendimin për emërtimin e rrugëve në komunën e Ulqinit. Ishte ky vendimi i parë i marrur në lidhje me ketë çështje në pluralizëm.

Ndaj këtij vendimi ka paraqitur ankesë SNP në Gjykatën Kushtetuese, ku ata me vendimin nr.62/02 me 26.12.2003   e kanë hjedhur poshtë vendimin e Komunës së Ulqinit, për parregullësi sepse nuk është respektuar procedura ligjore dhe Kushtetuta e Malit të Zi..

3.Në ketë aspekt, Ulqini dallohet nga qytetet e tjera në Mal të Zi, sepse me  gjithë angazhimin tim më herët  por tash edhe si kërkesë e Këshillit për emërtimin e rrugëve, shesheve dhe të institucioneve, bërë  ndaj shërbimit të Kuvendit të Ulqinit, nuk kemi marrë përgjigje pozitive në lidhje me ekzistimin e ndonjë vendimi në lidhje me emërtimet e rrugëve në të kaluarën moniste. Por, përgjigja ishte negative, sepse Kuvendi i Komunës së Ulqinit nuk disponon  asnjë vendim të tillë, nga del se emërimet e tilla janë vendosur në mënyrë jolegale.

Një e dhënë e tillë  është e pakuptueshme për kohën por njëherit  hap dilema të mëdha për formen e funksionimit të pushtetit  monist në Ulqin. Në lidhje me ketë çështje  nuk ka dilemë se kanë vepruar struktura individuale apo grupe të ndryshme që kanë vendosur për çështje të tilla. Ishte ky një veprim perfid  me qasje hegjemoniste, duke mos marrë parasysh strukturën nacionale, gjuhësore dhe konfesionale të popullsisë së Ulqinit.

Me një qasje të tillë imponuese e hegjemoniste  ish pushtetarët komunist  kanë vlerësuar se çdo gjë fillon prej tyre duke eliminuar të kaluarën e këtij mjedisi.

Ndërsa nga ana tjetër  edhe ata pak kuadra shqiptare qe ishin nuk kanë pasur guxim  të trajtojnë  këto çështje, andaj  kanë heshtur sepse ne ketë formë kanë mundur të ruajnë pozitat e tyre.

Një dukuri e tillë nga aspekti ligjor  cilësohet jolegale dhe e pa pranueshme, andaj si e tillë është trajtuar edhe nga Këshilli për emërtimin e rrugëve, shesheve dhe institucioneve në komunën e Ulqinit, kur kemi trajtuar  propozimet për emërtimet përkatëse.

  1. Këshilli për dhënien e propozimeve për emërtimin e rrugëve, shesheve dhe institucioneve në komunën e Ulqinit, si ne mandatin e kaluar por edhe në përbërjen e re te këtij mandati (Vendimi nr.02-38/14-5/b më datë 22.3.2014) kësaj çështje  i është qasur në mënyrë serioze. Andaj,  duke marrë parasysh propozimet përkatëse, ne mbledhjen e mbajtur me  06.5.2015, ka dalë me propozimet konkrete qe janë miratuar në mënyrë unanime nga anëtarët e Këshillit që ishin të pranishëm, ndërsa me pas këto propozime i janë përcjellur Kuvendit, ku shërbimi ka vazhduar procedurën  përkatëse.

Në lidhje me emërtimin e rrugëve, shesheve dhe institucioneve, Këshilli ka marrë  për bazë  strukturën nacionale, gjuhësore dhe konfesionale të popullsisë së komunës së Ulqinit, duke u bazuar në regjistrimin e popullsisë në vitin 2011.

Andaj duke u bazuar në këto të dhëna statistikore jemi përpjekur maksimalisht të respektojmë  barazinë nacionale dhe qytetare në ketë mjedis. Nga regjistri i emërtimeve të propozuara kemi këto  tri  kategori:

a/ emërtime tradicionale nga toponimia vendore, (rruga e Valdanosit, Pinjeshit, Tivarit, Shkodrës  etj.)

b/ emërtime të personaliteve  vendore dhe ndërkombëtare  ( Teuta, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, Nënë Tereza, Ali  Ulqinaku, Mujo Ulqinaku-Cakuli, Ymer Prizreni, Mehmet Beci, Cafo Begu, Simon Filipaj, Pavle Mijoviq, Radovan Zogoviq, Mehmet Gjyli, Fiqri Hasanaga, Ali Podrimja, Edith Durham, Sabataj Cevi, Antonio Baldaçi etj.).

c/ emërtime me numra (në Shtoj, Gjerana dhe disa rrugë në qytet të trashëguara më parë)

Ne Këshill jemi dakorduar që një rrugë të mbaj emrin VIKTIMAT E KOMUNIZMIT,  madje e kemi caktuar edhe lokacionin, qe te jetë ajo në Mal të Bardhë, si vazhdimësi e rrugës së propozuar me emrin Dul Shurdha. Në sajë të takimit qe kemi zhvilluar te komisioni përkatës në  Ministrinë e kulturës në Podgoricë, një propozim i tillë nga ana  e tyre nuk është mirëpritur. Edhe pse ne si përfaqësues të Këshillit në atë takim kemi dhënë arsyetimin se tash jemi në pluralizëm dhe duhet të flitet për të kaluarën pa pa qasje ideologjike  duke përfshi edhe  krimet e komunizmit (1944-1990)  qe kanë ndodhur në Ulqin por edhe gjetiu në Mal të Zi, ekzistonte një refuzim nga ana e tyre me arsyetimin se nuk është  ende koha për një emërtim të tillë. Ne jemi te mendimit se krime nga koha e komunizmit ka pasur dhe pasojat janë ende  të pranishme dhe se disa ngjarje  per disa persona  ende nuk janë ndriçuar  si për familjarët  por edhe për opinionin e gjerë.

Në lidhje me ktë çështje si dëshmi shërben emërtimi i sheshit Viktimat e Goli Otokut(Zrtve Golog Otoka)  në Podgoricë, qe janë viktim e komunistave, andaj ne ketë aspekt Ulqini nuk mund të jetë përjashtim, pavarësisht se ende është i pranishëm mentaliteti i kohës së monizmit. O tempora, o mores!

Nga ana tjetër sa iu përket rrugëve të emërtuara me numra, mendoj se kjo çështje paraqet vendim të përkohshëm, sepse ka zëra qe individet apo qytetarët  do të paraqesin propozime përkatëse, nga toponimia lokale, apo emërtime të tjera nga banorat e tyre zonave.

  1. Nga ajo qe u tha del qartë se si Këshill jemi përpjekur qe propozimet tona të jenë të pranueshme për të gjithë banorët e Ulqinit dhe terë komunës, ku të dhënat biografike te personave të propozuar e dëshmojnë në mënyrë bindëse një konstatim të tillë.

Ky propozim nuk ka dilemë se  eliminon qasjen hegjemoniste nga e  kaluara moniste, ku nuk është marrë parasysh  barazia praktike nacionale në  komunën e Ulqinit, ku shqiptarët si popullsi shumicë  ishin të diskriminuar.

  1. Dhe në fund e them pa hezitim se ky regjister i propozuar për emërtimet në Ulqin, mund të shërbejë si  model edhe për  qytete e komuna të tjera në Mal të Zi me përbërje multinacionale, sepse është respektuar në maksimum struktura nacionale, gjuhësore dhe konfesionale  e popullsisë.

Me ketë rast dua të ceki informatën se në Podgoricë janë të emërtuara  mbi 400 rrugë e sheshe, por asnjëra prej  tyre nuk ka  emër të një personaliteti të përkatësisë kombëtare shqiptare, çka dëshmon në mënyrë transparente pabarazinë praktike qytetare  e nacionale në ketë mjedis.

Ndërsa duke marrë parasysh se Podgorica është edhe kryeqyteti i Malit të Zi, një veprim i tillë nuk mund të arsyetohet më asgjë por vetëm me qasjen hegjemoniste të pushtetit ndaj pjesëtarëve të popujve të tjerë.

 

20.7.2015

       Dr.Nail  Draga

(Autori është kryetar i Këshillit për dhënien e propozimeve  për  emërtimin e rrugëve, shesheve dhe institucioneve në komunën e Ulqinit)