Donacion i librave gjermane për bibliotekën e qytetit

0

Javën e kaluar në Bibliotekën e Ulqinit mbërriti një donacion i librave në gjuhën gjermane, të dhuruara nga Südwestrundfunk (SWR), një radiotelevizion i madh rajonal në Gjermaninë jugore.

Ideja për një projekt të tillë lindi, kur në qershor të vitit të kaluar në Bibliotekë u mbajtën Garat e Leximit në Gjuhën Gjermane, ku morën pjesë nxënës të shkollave fillore nga Mali i Zi. Me atë rast, udhëheqësja e Bibliotekës, Ardita Rama, në bisedë me mësimdhënësin gjerman, z. Kurt Schlegel, koordinatorin e Agjencisë Qendrore Gjermane për Shkolla Jashtë Shtetit, z. Armin Schurr dhe nënkryetaren e Komunës, zonjën Zenepa Lika, shprehu idenë për plotësimin e fondit të Bibliotekës edhe me libra në gjuhën gjermane, të cilat u kishin shërbyer, jo vetëm nxënësve e qytetarëve të Ulqinit, por edhe turistëve të huaj, të cilët gjatë sezonit veror janë të shumtë dhe e vizitojnë Bibliotekën në kërkim të librave në gjuhën e tyre.

  1. Kurt Schlegel këtë ide ia parashtroi mikut të tij, z. Hanspeter Hauke, redaktor në Südwestrundfunk (SWR), radiotelevizion i madh rajonal në Gjermaninë jugore. Ai grumbulloi një sasi të madhe të librave në gjuhën gjermane, të cilat mbërritën në Ulqin me grupin e nxënësve nga gjimnazi “Vëllazërim-bashkim”, të cilët ishin në vizitë në qytetin Freudenstadt të Gjermanisë në kuadër të shkëmbimit vjetor të nxënësve.

Disa libra do të vendosen në shkollën fillore “Marshali Tito” dhe në gjimnazin “Vëllazërim-bashkim” dhe do t’i shërbejnë nxënësve dhe mësimdhënësve si literaturë shtesë për mësimin e gjuhës gjermane, ndërsa pjesa më e madhe do të qëndrojë në Bibliotekën e Qytetit, ku ka filluar regjistrimi i tyre, në mënyrë që sa më parë të jenë në dispozicion të lexuesve.

Të theksojmë se në Bibliotekën e Qytetit, përveç librave e materialit tjetër bibliotekar në gjuhën shqipe e malazeze, edhe më parë kanë mundur të huazohen libra në gjuhë të huaja. Me këtë donacion kjo ofertë do të jetë edhe më e pasur për lexues të të gjitha moshave që dëshirojnë të lexojnë në gjuhë të huaja.

Po ashtu, në Bibliotekë planifikohet të krijohet Këndi i Gjuhëve të Huaja, ku do të vendosen librat në gjuhë të huaja dhe do të jenë në dispozicion të anëtarëve të Bibliotekës.

Udhëheqësja e Bibliotekës, Ardita Rama, në emër të anëtarëve të Bibliotekës dhe në emër të saj falënderon donatorin Südwestrundfunk, pastaj z. Hanspeter Hauke për angazhimin e madh në grumbullimin e këtyre librave, z. Kurt Schlegel, i cili përveç që ndihmoi në realizimin e kësaj ideje, e solli këtë donacion në Ulqin, si dhe nënkryetaren e Komunës, znj. Zenepa Lika për angazhimin e saj. Po ashtu, falënderon edhe nxënësit e Gjimnazit të Ulqinit të cilët ndihmuan në shkarkimin dhe bartjen e librave në Bibliotekë.

 

Ulqin, më 10 mars 2016

 

Udhëheqësja e Bibliotekës,

Ardita Rama