“Ditët e diasporës”: Manifestim apo luftë politike për Anën e Malit?

0

Manifestimi “Ditët e diasporës”, i cili deri këtë vit organizohej nga Biznis Klub Ana Malit (BKA),  shoqata “Ora” dhe shoqata “Ana e Malit” nga New York-u, kësaj radhe do të organizohet nga Komuna e Ulqinit dhe Organizata Turistike.

Kjo kthesë në organizimin e këtij manifestimi duket jo pak e çuditëshme, pasi Komuna e Ulqinit ka probleme të shumta financiare dhe organizimi i manifestimeve të tilla nga sektori privat duhej të ishte më se i mirëpritur.

Por nuk ndodhi aspak kështu.

Bashkëbisedues të portalit tonë, që e njohin mjaft mirë situatën politike në Anën e Malit, thonë se organizimi i këtij manifestimi nga komuna dhe OT, nuk është asgjë tjetër veçse një mënyrë e kryetarit të Komunës Fatmir Gjeka, dhe drejtoreshës së OT Zana Sarvan, që të eliminojnë ndikimin e shoqatës BKA në këtë zonë. Pasi një skenar i njëjtë me shoqatën kultutror-artistike “Ana Malit”, i cili synonte uljen ose anullimin komplet të ndikimit të shoqatës “Tradita”, mund të quhet i dështuar, tani u kalua në fushën tjetër.

Njohësit e mirë të situatës thonë se ka edhe arsye tjera të këtyre ‘lojrave’ nga prapa skenës.

Gjeka dhe Sarvan, partitë e të cilëve 90% të elektoratit e kanë në këtë zonë ose nga njerëzit e kësaj zone, kanë edhe frikën e angazhimit politik të kryetarit të BKA-së Kabil Kurtit.

Formimi i një partie të re politike me bazë në këtë zonë, do ta anullonte komplet influencën e dy të parëve, bile mund të ishte edhe fundi i karrierave të tyre politike. Duke pasur parasysh se Kurti dhe afaristët e tjerë në BKA janë njerëz të respektuar në shoqëri, dalja e tyre në skenën politike do të ishte tërmet për PD-në dhe Perspektivën.

Se lënia jashtë e BKA-së nga organizimi mund të ngjall mjaft dyshime e kanë kuptuar si duket edhe  vetë organizatorët. Jo më kot njoftimi për BKA-në si bashkorganizatore doli me vonesë, nga i cili zor se mund të kuptohet roli i vërtetë i saj në këtë manfestim.

Burime të portalit tonë thonë se vetë fillimi i këtij manifestimi tregon se dicka nuk po ecën si duhet, pasi në hapjen e mbajtur në hotel “Mediteran” ishin prezent vetëm një numër i vogël pjesmarrësish nga diaspora.

Por suksesi apo dështimi edhe ashtu nuk janë qëllimi kryesor i organizatorëve, por tentativa që cdo manifestim, qoftë politik, kulturor apo artistik, të mos kalojë pa ndikimin e tyre.

Edhe ashtu po afrohet viti zgjedhor dhe lufta për ndikim në çdo cep të elektoratit do të vazhdojë të bëhet edhe më e ashpër.