Demarkacioni, opozita i thotë “Po” thirrjes së Mustafës për debat

0

Dy partitë më të mëdha opozitare, Lëvizja “Vetëvendosje” dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë pranuar që t’i përgjigjen thirrjes së kryeministrit Isa Mustafa, për të debatuar edhe një herë çështjen e demarkacionit me Malin e Zi. Ndërsa partia më e vogël e opozitës, “Nisma” thotë se debati i ri për kufirin është një lloj tradhtie, AAK-ja dhe LVV-ja thonë se në këtë takim përfundimisht Demarkacioni do të konstatohet “i vdekur” dhe do të ecet përpara me proces të ri.
Kryeministri Mustafa ka deklaruar se jo më larg se në fillim të muajit tetor, pritet të nisë një raund i ri bisedimesh rreth përafrimit të qëndrimeve mbi kufirin me Malin e Zi. Ai tha se ratifikimi i Demarkacionit do të kryhet brenda muajit të ardhshëm përkundër faktit se paraprakisht u ka bërë thirrje opozitës për bisedime. Megjithatë, Mustafa ka thënë se me këtë ftesë do t’i jepet mundësi e dytë të gjithëve për sjelljen e fakteve rreth mëdyshjes së vijës kufitare me Malin e Zi.