Demarkacioni Mali i Zi-Kosovë: Protesta në Pejë

0

Një grup i banorëve të qytetit të Pejës kanë protestuar sot kundër nënshkrimit të marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, duke bllokuar për një orë magjistralen Pejë-Rozhajë, raporton lajmi.net.

Organizatori i kësaj proteste, Ali Lajçi, u bëri thirrje udhëheqësve të Republikës së Kosovës që të mos nënshkruajnë asnjë marrëveshje me shtetin e Malit të Zi, pasi që me këtë, sipas tij, Kosova do të humbë rreth 12 mijë hektar tokë.

”Sot protestohet, kërkohet nga ministri i Punëve të Jashtme, ministri i Punëve të Brendshme që të mos nënshkruhet në Vjenë marrëveshja e tillë sepse është në kundërshtim me interesat e Republikës së Kosovës, në kundërshtim me territoret hapësinore, turistike, pronësore të kësaj zone në përgjithësi dhe se Kosova humb në këtë rast 12 mijë hektarë bazikë”, tha Lajçi.

Përveç humbjeve në tokë që do t’i sjellë shtetit të Kosovës, sipas Lajçit, kjo marrëveshje do të sjellë edhe jo stabilitet në mes të këtyre dy vendeve. Dhe në rast se nuk do të ndryshohet ndonjë gjë nga ana e Qeverisë së Kosovës, sipas tij do të filloj një kapitull i ri me Malin e Zi.

“Me Malazezët nuk jemi në konflikte politike e të tjera, por ky kapitull është i papranueshëm. Ata i kemi shtet fqinj dhe ne do të vazhdojmë me mirësi, por në rast se këto çështje synohen zyrtarisht atëherë është një proces një kapitull i ri që ky popull, kjo gjeneratë dhe madje një akumulim historik mund të shpërthejë keq dhe mund të mos jemi të sigurt në marrëdhënie reciproke. Kjo vijë kufitare është vijë e ngatërresave e jostabilitetit, është kufi i cili nuk do të qëndrojë dhe nuk do të riprodhojë paqe, kurse në mes të dy popujve duhet të ketë paqe dhe siguri”, shtoi ai.

Lajçi gjithashtu shtoi se protesta do të ketë edhe në Prishtinë si dhe në pika tjera kufitare deri sa të zbatohet marrëveshja sipas ligjit dhe Kushtetutës së vendit.