Delegacioni i Komunës së Ulqinit për vizitë në Kosovë. Sot takim me zyrtarët e Prishtinës

0

Me iniciativë të Komunës së Ulqinit, dje u mbajt takim në mes të zyrtarëve të Komunës së Ulqinit në përbërje Nënkryetar Ardijan Mavriq, Sekretarin për Ekonomi Milazim Mustafa, përfaqësues të Zyrës për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte Arsllan Hajdinaga dhe Arben Xhurreta dhe zyrtarëve të Komunës së Pejës, gjegjësisht Kryetarin e Komunës së Pejës Gazmend Muhaxheri, Shefin e Kabinetit Durim Sheremeti dhe të tjerë.

Gjithashtu, përfaqësuesit e lartëpërmendur të Komunës së Ulqinit, zhvilluan takime edhe me zyrtarë të Komunës së Gjakovës, gjegjësisht Kryetaren Mimoza Kusari Lila, drejtoreshën e Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik Silvana Domi, si dhe Drejtorin për kulturë, rini dhe sport Meriton Ferizi.

Takimet u zhvilluan me qëllim të përgatitjes të projekteve për fondet IPA.

Është rënë dakord të formohen ekipe të përbashkëta për hartimin e projekteve për fondin përtejkufitar Mali i Zi – Kosovë.

Të dyja palët u dakorduan se fushat potenciale për bashkëpunim duhet të përqendrohen në zhvillim të qendrueshëm, promovim të turizmit, promovim të trashëgimisë kulturore si dhe çështje sociale.

Pritet që Fondet IPA Cross Border Mali i Zi – Kosovë të hapen në fund të këtij viti. Komuna e Ulqinit së bashku me partnerët mund të llogarisë në shumë prej 400.000 eurosh për projekt.

Sot në plan është takimi me kabinetin e kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmetit.