Debate të ashpra gjatë shqyrtimit publik për Kripore

0

Dje me fillim në ora 11.00 në sallën e Komunës së Ulqinit filloi shqyrtimi publik në lidhje me projektin e studimit të mbrojtjes së Kripores  së Ulqinit të realizuar nga Agjensia për mbrojtjen e mjedisit.

Në sallë ishte i pranishëm kryetari I kësaj agjensie Ervin Spahiq, drejtori i Parqeve Kombëtare Zoran Mrdak, përfaqësues të CZIP-it, Komisionit Europian, Komunës së Ulqinit dhe një numër I konsiderueshëm i gjuetarëve.

Prezantimi i studimit ngjalli debate të ashpra ndërmjet gjuetarëve dhe punuesve të këtij studimi, pasi  sipas tij, në zonën e Kripores do të ndalohet përfundimisht gjuetia.

Gjuetarët shprehën mbështetjen e tyre për rivendosjen e prodhimit të kripës por ishin kategorikisht kundër ndalimit komplet të gjuetisë.  Ato propozuan që një pjesë e Kripores, e ashtuquajtur Kriporja e re, të lihet për gjueti.

Debati me raste pati tone të ashpra, sidomos ndaj drejtorit të shoqatës CZIP Darko Saveljiq, të cilin gjuetarët e akuzuan për diskriminim dhe stigmatizim tendecioz ndaj tyre.

Gjatë debatit u shtruan edhe pyetje të ndryshme, nga të cilat ishte edhe fakti i ndarjes së një sipërfaqeje prej 60 hektarësh në Kripore ku do të lejohej ndërtimi.

Të pranishmit  u shprehën të shqetësuar se mos ndoshta kjo është një mënyrë që nga dera e pasme ti  lejohet pronarit ndërtimi në Kripore.

Në kontekst të kësaj u drejtuan edhe pyetje drejt zyrtarëve të Komunës, pasi edhe ndërmarrja e vjetër edhe qiramarrësit e tanishëm nuk janë pronar por vetëm menaxhes të përkohshëm, ndaj edhe shtrohet pyetje se cfarë është duke bërë Komuna që të zgjidhet cështja e pronsisë së tokës së Kripores.

Sekretari për veprimtari komunale Avdulla Dervishi dhe nënkryetarja e komunës Zenepe Lika u bënë thirrje të interesuerve që propozimet dhe ankesat në lidhje me projektin të dërgojnë pranë këtij sekretariati Ii cili do ti marrë në shqyrtim.

Shqyrtimi publik për Kriporen e Ulqinit do të zgjasë datën 12 nëntor.