Çudirat e Kripores: Ish drejtoresha paguhej mbi 7.000 euro ne muaj

0

Kriporja e Ulqinit, kompani e cila ndodhej në falimentim të programuar prej vitit 2003, prej vitit 2006 e deri me 2010 i paguante drejtoreshës së atëhershme Jelena Aleksiq rrogën prej 7200 eurosh në muaj, shkruan “Dan”.  E gjithë kjo kur punëtorët kishin muaj pa parë asnjë cent, kurse kontibutet nuk u paguheshin me vite.

Ajo tani në rrugë gjygjsore kërkon nga ndërmarrja edhe 235.000 euro të tjera si pagesë për daljen nga puna.

Administrata e falimentimit të Kripores i ka pranuar borxhin prej rreth 75.000 eurosh, por nuk janë në gjëndje të ofrojnë dokumentacionin e saktë, pasi sic thonë ata, në periudhën në fjalë Kriporja ka pasur 3 llogaritar të ndryshëm.

Aleksiq përkundrazi deklaron se dokumentacioni në fjalë ekziston pranë degës së Ministrisë së Mbrendshme në Herceg Novi, ku edhe është ngritur kallzimi penal kundër administratës së Kripores, pronarit dhe drejtorit. Aleksiq ka dhënë dorëheqjen në vitin 2010.

Se si një kompani e falimentuar mund të paguaj drejtorin mbi 7000 euro në muaj, dhe më pas i njëjti të kërkojë pagesë për shkurtim nga puna pasi më parë vetë ka dhënë dorëheqjen, janë fenomene që ndodhin vetëm në Mal të Zi, dhe sidomos në ndërmarrjet e Ulqinit.