Çështja e shqiptarëve të Maqedonisë dhe disa ide folklorike që po e shoqërojnë

0

Nga Adri Nurellari

Ngjarja tragjike e Kumanovës, përveç tronditjes,  habisë dhe pikëpyetjeve të mëdha që ka ngjallur, shërbeu edhe si sebep për rishfaqjen e shumë deklaratave dhe komenteve të papërgjegjshme, naïve e folklorike lidhur me Maqedoninë. Fatmirësisht përfaqësuesit e jetës institucionale politike shqiptare në Maqedoni, Kosovë dhe Shqipëri e dënuan ngjarjen, u distancuan nga grupi i luftëtarëve dhe konfirmuan mbështetjen për rendin dhe stabilitetin e Maqedonisë duke i quajtur thelbësore për interesat e shqiptarëve dhe mbarë rajonit. Faktikisht humbësit kryesor nga ajo ngjarje që devijonte vëmendjen nga presioni që po bën shoqëria civile dhe opozita maqedonase do të ishin pikërisht shqiptarët të cilët po marrin një kosto aspak të merituar në opinionin publik ndërkombëtar.  Mirëpo paralelisht në media ridolën nëpërmjet gojës së aktorëve politik periferik apo personazheve mediatike shumë mite kolektive e legjenda urbane që lënë të kuptohet se sa pak kuptohet realiteti i shqiptarëve të Maqedonisë në Tiranë dhe Prishtinë dhe se sa shumë mediokritet lulëzon në jetën tonë publike.

 Pavarsisht se problemet aktuale në Maqedoni lidhen kryesisht me frenimin e procesit të demokratizimit dhe kapjen e shtetit, këto ditë ka pasur zëra arkaikë të pamatur publik si dhe një gumëzhitje në mediat sociale që kanë folur në favor të përdorimit të luftës guerile për qëllime politike sikur të bëhej fjalë për situatën e dy dekadave më parë. Pikësëpari këtij iluzioni të rrezikshëm i duhet vënë fre pa e lënë të përhapet mirë se gjendja e shqiptarëve  të Maqedonisë ka ndryshuar në mënyrë radikale krahasuar me periudhën para konfliktit të vitit 2001. Shqiptarët e kanë përdorur luftën vetëm kur janë shteruar mjetet paqësore  dhe kur trysnia kaloi caqet e durimit.   Ndërkaq ajo që është veçanërisht e rëndësishme për të kuptuar është se konjuktura ndërkombëtare është krej ndryshe sot dhe totalisht kundër përdorimit të mjeteve të dhunshme në Maqedoni dhe kjo indiferencë që shprehet ndonjëherë ndaj rëndësisë së faktorit ndërkombëtar është për të ardhur keq.

Studime të ndryshme tregojnë se prej fundit të Luftës së Dytë Botërore deri në vitin 2001 ka pasur mbi 220 konflikte të armatosura nëpër botë gjysma e të cilave u zhvilluan pas rrënies së murit të Berlinit ndërsa 140 prej tyre ishin luftëra civile sikurse mund të kategorizohet ajo e 2001 në Maqedoni.  Pothuaj  90% e këtyre konflikteve janë zgjidhur nëpërmjet një marrëveshje paqeje të negociuar nga ndërkombëtarët. Pra  gjatë shekullit të kaluar roli i ndërkombëtarëve në drejtimin që marrin konfliktet dhe mënyrën se si zgjidhen ato ka ardhur duke u rritur e sot është bërë vendimtar.  Kjo do të thotë që edhe nëse ndokush ( që ska ndjeshmëri  për kostot njerëzore e luftës dhe që gabimisht e konsideron luftën si mjetin e parapëlqyer për të përmbushur objektivat politike)  do ta ndizte një konflikt nga e para prapëseprapë gjasat janë që ai konflikt gjithësesi do të përfundojë me një marrëveshje të negociuar me prani të ndërkombëtarëve. Në kushtet kur mungon konjuktura e përshtatshme ndërkombëtare cilado palë që, larg qoftë, do të lajthiste që ta rindizte konfliktin, sidoqoftë raporti i forcave, është e humbur që në start.  Ndryshimi i klimës ndërkombëtare pas vrasjes së ndërgjegjes për tolerimin e gjenocideve të Bosnjes dhe Ruandës qe vendimtare për suksesin e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe asaj Kombëtare.  Në rastin konkret jo vetëm faktori ndërkombëtar dhe aleatët tanë, por edhe faktori politik shqiptar konvencional në Maqedoni, Kosovë dhe Shqipëri janë shprehur me shumë të drejtë unanimisht dhe pa ekuivoke kundër cënimit të integritetit dhe stabilitetit të Maqedonisë.

Po ashtu është shqetësuese është lehtësia me të cilën disa aktorë publik e politikë flasin për dështimin apo heqjen dorë nga Marrëveshja e Ohrit duke hamendësuar nevojën për një ujdi të re. Historia bashkohore ka treguar se kostoja njerëzore e një traktati paqeje të dështuar e të shoqëruar me rindezje të konfliktit ka probabilitet të lartë të jetë më e rëndë sesa lufta e mëhershme për të cilën është firmosur ai traktat paqeje. Pra negocimi i një marrëveshje të dytë paqeje ka shpesh më shumë kosto , vështirësi dhe vonesa sesa në herën e parë. Rastet më të dhimbshëm janë të Ruandës dhe Kamboxhias ku lufta që pasoi dështimin e paqjes qe më e egër e me përmasa gjenodiciale pasi niveli i mosbesimit mes palëve kaloi në ekstrem pas dështimit të marrëveshjeve. Pas një lufte civile trevjeçare me rreth 10 000 të vrarë mes qeverisë ruandeze të dominuar nga hutut dhe Frontit Patriotik të përbërë nga tutsit u firmos në Tanzani në vitin 1993 ujdia e paqjes e quajtur Akordet e Arushës mirëpo thyerja e kësaj paqeje një vit më pas bëri që brenda 100 ditëve të para të rindezjes së konfliktit të vriteshin mbi 800 000 civilë.

Një situatë e ngjashme ndodhi me Angolën ku pas 16 vitesh luftë civile më në fund u realizua marrëveshja e paqjes së Bicesse-s. Mirëpo një vit më pas në zgjedhjet e monitoruara e të pranuara nga vëzhguesit ndërkombëtarë njëra palë luftuese Uniao Nacional para a Independência Total de Angola (UNITA) humbi përkundrejt Movimento Popular de Libertação de Angola (MPLA). Lideri i të parës Jonas Savimbi nuk e pranoi rezultatin dhe iu rikthye luftimeve të cilat deri në 1994 shkaktuan mbi 300 000 viktima civile që ishte bilanc shumë herë më i lartë sesa lufta civile paraprake. E njëjtë me Liberinë ku numri i viktimave në luftën e dytë civile liberiane 1999-2003 që shpërtheu pas dështimit të marrëveshjes së paqjes ishte pothuaj dyfish më i madh se ai i viteve 1989-1997. Kjo është arsyeja pse vendoset aq theks i madh nga të gjithë aktorët e përgjegjshëm tek zbatimi i Marrëveshjes ekzistuese së Ohrit si një domosdoshmëri për të garantuar paqjen dhe mirëqënien e shqiptarëve brenda Maqedonisë por edhe të mbarë rajonit.

Një tjetër iluzion që po qarkullon në kuadër të këtij nacionalizmi folklorik është ajo e pretendimit të ndarjes së Maqedonisë ose si shtet ose si federatë. Kjo ndarje (partition) zakonisht rekomandohet nga studiuesit dhe praktikantët e zgjidhjes së konflikteve, në kushtet kur dallimet mes palëve që janë përplasur janë aq të mëdha sa janë të papajtueshme dhe po ashtu konflikti ka qenë aq i përgjakur sa palët e kanë të pamundur të jetojnë bashkë. Kjo ka qenë arsyeja pse u propozua ndarja federale e komuniteteve në Bosnje gjatë marrëveshjes së paqes së Dejtonit duke patur parasysh bilancin e përgjakur të luftës.  Mirëpo për të njëjtën arsye, duke patur parasysh se në 2001 lufta zgjati 9 muaj dhe bilanci i jetëve të humbura ishte diku tek 200  ndarja nuk u pa si strategji e nevojshme. Logjika në rastin e ndarjes është se një komunitet nuk mund të ndihet asnjeherë i sigurtë në prani të komunitetit kundërshtar prandaj ndarja fizike mundëson që të ndihen komod pa rrezikuar rivalët.  Mirëpo të kuptohemi ndarja apo federalizimi i Maqedonisë do e kishte koston të jashtëzakonshme për popullsinë civilëve sepse do të shoqërohej me transferime të dhimbshme të popullsisë mes dy republikave hipotetike që do krijoheshin brenda shtetit federal. Nevoja për të homogjenizuar e për t’u ndjerë më të sigurtë brenda njësisë së ndarë do të thoshte që shqiptarët të mbartnin koston më të madhe pasi gradualisht do të detyroheshin të largoheshin nga trojet e tyre historike në Manastir, Prilep, Veles apo Ohër për t’u vendosur në Maqedoninë perëndimore ku shqiptarët përbëjnë shumicën.

Prandaj gjatë negociatave u pa më e arsyeshme dhe e dobishme nga faktori shqiptar brenda në Maqedoni  dhe në mbarë rajonin si dhe nga aleatët, që pas konfliktit të vitit 2001 të favorizohej një zgjidhje e bazuar mbi të drejtat dhe garancitë kushtetuese e jo mbi ndarjen territoriale pra fizike mes komuniteteve. Nevoja për një dimension territorial akomodimi u përmbush deri diku nëpërmjet decentralizimit dhe organizimit të pushtetit vendor dhe sot faktikisht komunat e drejtuara nga shqiptarët zënë diku tek 2/5 e territorit të Maqedonisë. Pra zgjidhja e konfliktit u bë me qasjen alternative, atë të shpërndarjes së pushtetit (power-sharing) duke përfshirë në mënyrë të pashmangshme shqiptarët në vendim-marrje dhe administratë nëpërmjet garancive kushtetuese. Konkretisht marrëveshjet e paqes me shpërndarje-poshteti nënkuptojnë ujdi politike që garantojnë përaqësuesit e të gjitha komuniteteve në vendim-marrjen politike sidomos në ekzekutiv, legjislativ, gjyqësor, polici dhe ushtri. Duke e shpërndarë pushtetin mes grupeve rivale komunitetet pakica ndihen të akomoduara dhe respektuara dhe shmanget rreziku që njëra palë të kërcënoj të tjerat nëpërmjet përqënsrimit të gjithçkaje në dorën e vetë.  Prandaj duke marrë në konsideratë kontekstin, marrëveshja e Ohrit ishte padyshim zgjidhja më e mirë dhe më e leverdisshme për shqiptarët .

Duhet kuptuar që ndryshe nga një shtet tradicional me demokraci kompetititve i padalë nga një konlfikt ku koalicionet  qeverisëse organizohen në bazë të një afërsie ideologjike apo përputhje interesash, në kushtet e shpërndarjes së pushtetit të një vendi që ka dalë nga një konflikt, qeveria përbëhet shpesh nga palë që kanë qenë armike në betejë e konkurentë në zgjedhje. Ky është rasti i qeverisjes në Bosnje  ku në kabinetin qeverisës ka në përbërje përfaqësues të partive nacionaliste të tre komuniteteve që kanë luftuar me njëri-tjetrin dy  dekada më parë. Si pasojë e marrëveshjes së Belfastit unionistët protestantë me republikanët katolikë detyrohet të bashkëqeverisin në Irlandën e Veriut. Në Nepal monarkistët janë të kushtëzuar prej marrëveshjes së paqes që të bashkëqeverisin me maoistët kundër të cilëve kishin luftuar për dhjetë vite rresht.

Receta të tilla të zgjidhjes së konflikteve dhe ndërtimit të paqjes janë aplikuar në shumë vende si Kena, Libani, Nigeria, Sierra Leone, Madagaskari, Burundi, Kolumbi, Salvador, Mozambik,   Republika Demokratike e Kongos etj. Prania e një formacioni politik si Lista Srpska në të njëjtin koalicion me partinë e ish-luftëtarëve të UÇK-së është një tjetër ilustrim i zotimit që ka marrë Kosova në kuadër të pakos së Ahtisaarit për të ndërtuar institucione gjithëpërfshirëse pra të qasjes së “shpërndarjes së pushtetit“. Konkretisht edhe në rastin e Maqedonisë, koalicioni qeveritar nuk është një lloj “martese me dashuri” por një rezultat i drejtpërdrejtë i marrëveshjes së paqjes dhe garancive kushtetuese që kanë ardhur me të. Për rrjedhojë prania e BDI-së në qeverinë e Gruevskit nuk mund dhe nuk duhet të interpretohet si një mbështetje apo luajalitet ndaj VMRO-DPMNE por si një përfaqësim  konstitucional, legjitim dhe i nevojshëm i komunitetit shqiptar në vendim-marrje. Këtu  në fakt vlen të përmendet një tjetër mit që qarkullon dendur është se pluralizmi partiak mes shqiptarëve është i dëmshëm dhe se po të aplikohej monizmi pra të bëheshin bashkë BDI dhe PDSH problemet e shqiptarëve do të zgjidheshin më lehtë. Është e vërtetë që fragmentimi i madh do e dëmtonte peshën specifike të shqiptarëve në parlamentin maqedonas përkundrejt komunitetit kryesor etnik ama një minimum alternativash dhe konkurrence është e domosdoshme për të siguruar cilësinë e përfaqësimit politik në demokraci.  Fundja shumica e komuniteteve jo-shumicë të Evropës qëzënë  një përqindje domethënëse në shtetet e tyre kanë më shumë se një parti etnike në parlament. Hungarezët kanë nga dy parti etnike në Serbi e Sllovaki dhe tre në Rumani , rusët kanë dy në Letoni , austriakët në Tirolin jugor të Italisë kanë katër parti, gjermanët kanë dy në Poloni, kroatët kanë dy në Bosnje-Hercegovinë baskët dy dhe katalanët katër në Spanjë, serbët dy  në Mal të Zi , korsikanët tre në Francë e kështu me radhë.

Më e mira për shqiptarët është që Maqedonia të konsolidohet si shtet demokratik që vë në jetë plotësisht Marrëveshjen e Ohrit dhe përqafon standardet më të larta të të drejtave të njeriut  si dhe që procesi i integrimit Euro-Atlantik atje të dalë nga stanjacioni. Zhvillimet e ditëve të fundit si dorëheqjet , tryeza ndërpartiake dhe angazhimi intensiv i ndërkombëtarëve si ndërmjetës janë shpresëdhënëse se këto procese së shpejti do të zhbllokohen.  Brocckullat që fliten sot sot për federalizim, heqjen dorë nga Marrëveshja e Ohrit apo më keq që favorizojnë luftën e armatosur përkundrejt luftës politike, janë të pabaza dhe shkojnë ndesh me interesat e shqiptarëve. Prandaj është e nevojshme që personazhet që kanë qasje në media të tregohen më të përgjegjshëm, të vetëdijësohen për rrezikun që sjell nxehja e gjakrave apo ushqimi i iluzioneve të paqena të mësipërme dhe mundësisht të hapin ndonjë libër bazik që flet për teoritë dhe praktikat e zgjidhjes së konflikteve nëpër botë para se të flasin.