BOB DYLAN fitues i Çmimit Nobel për Letërsi 2016

0

Pas shumë  vlerësimesh, supozimesh e hamendjesh, askush nuk e mendoi që Bob Dylan do jetë fituesi i këtij viti i Çmimit Nobel për Letërsi. Madje edhe njerëzit që ishin mbledhur në ambientet e Akademisë Suedeze në Stockholm për të ndjekur shpalljen e fituesit, në një moment filluan të qeshnin. Qeshën sepse prisin emra të tjerë. Në garë ishin shkrimtarë të denjë si: Haruki Murakami, Ismail Kadare, Adonis, Amos Oz, Umberto Eco, Milan Kundera, Philip Roth etj.

Dylan u kurorëzua me këtë çmim për krijimin e shprehjeve, frazave të reja poetike brenda traditës madhështore të këngës amerikane. Nuk jemi fokusuar për ta njohur Bob Dylan-in si shkrimtar, duke na tërhequr gjithmonë më shumë vëmendjen muzika e tij, ose thënë ndryshe, teksti i shoqëruar me muzikë.

Në pyetjen nëse Bob Dylan vërtetë e meritoi çmimin Nobel, drejtuar Sara Danils, sekretares së Akademisë Suedeze, ajo u përgjigj se ai patjetër që e meriton, duke shtuar që ai është shkrimtar i shkëlqyer dhe një model origjinal, briliant në krijimin e rimave dhe në mendimin e tij piktoresk. Ajo gjithashtu shpjegoi që rasti i Bob Dylan mund të konsiderohet si ai i Homerit e poeteshës antike Safo, vargjet e të cilëve shkruheshin për tu performuar, kënduar, por ato vargje ekzistojnë akoma sot dhe lexohen. Të njëjtën gjë mund të bëjmë me Bob Dylan, ta lexojmë si shkrimtar.

Bob Dylan është amerikani i 259-të që fiton Nobel-in dhe i pari autor këngësh që nderohet me këtë çmim. Që nga viti 1901-2016, Nobeli për Letërsi u dhurua 109 herë.

Megjithatë, siç thotë edhe shkrimtari shqiptar Agron Tufa, “Çmimi Nobel nuk është Gjyqi i Fundit për një shkrimtar të madh.” Nëse Kadare-ja nuk do ketë kurrë fatin të respektohet me këtë çmim, kjo nuk e bën atë më pak shkrimtar të madh. Le të kujtojmë disa prej shkrimtarëve klasik që nuk e fituan këtë çmim si: Lev Tolstoy, Vladimir Nabokov, Italo Calvino, Umberto Eco, Marcel Proust, James Joyce, e shumë e shumë të tjerë.