Ballkanasit kontrollojnë rrjetin më të madh të drogës në botë

0

Mediat australiane shkruajnë se kriminelët nga Serbia dhe Mali i Zi përmes Ballkanit po kontrollojnë nëntokën në Australi, dhe besohet se ata kanë lidhje edhe me banda të ndryshme në Kolumbi, Meksikë dhe Azi.

Sipas “Daily Telegraph”, një hulumtim i bërë nga “News Corp” zbulon detaje të disa prej karteleve më të mëdhenj të drogës në botë, që e udhëheqin njerëz nga Ballkani, transmeton lajmi.net.

Në krye të kësaj organizate kriminale janë kryesisht imigrant nga ish-Jugosllavia, “dikur figura të njohura të nëntokës”, baza e të cilëve gjatë viteve të 90-ta ishte Kings Kros, një klub i natës por edhe i krimit në Sidnei.

Sipas të përditshmes australiane, të gjithë këta njerëz kah mesi i dekadës së fundit janë tërhequr nga bota e krimit, duke u larguar kështu edhe nga Australia për tu kthyer në Ballkan. Megjithatë, hulumtimi i fundit tregon se ata me kujdes të madh kanë planifikuar rikthimin e tyre duke formuar një rrjet kriminal që është përhapur në mbarë botën.

“Droga në Australi futet dhe shpërndahet përmes bandave lokale të motoçiklistëve, ndërsa kartelet tani “aktivizojnë të rinjtë” të gjeneratës së dytë dhe të tretë të kriminelëve australian, në mënyrë që të ripërtërihet nëntoka”, transmeton “Daily Telegraph”.

Një zyrtar policor ka deklaruar se kjo organizatë kriminale përbën kërcënimin më serioz për Australinë, në saje të themeleve të saj të forta, disiplinës dhe ndikimit të madh që e ka në komunat lokale.

“Rrënja e problemit është mbjellë kur ish-presidenti i Jugosllavisë dhe Serbisë, Sllobodan Millosheviq, sponsorizoi ikjen e familjeve kriminale nga Serbia në Australi, gjatë viteve të 80 dhe 90-ta”, thuhet në hulumtim.

Policia australiane ka konstatuar se një numër i madh i kriminelëve që besohej se ishin tërhequr gjatë viteve të 90-ta, janë rikthyer në krye të kartelit dhe kontrollojnë gjithçka nga bazat e tyre në Serbi dhe Mal të Zi.

Rrjetin e udhëheq ish krimineli nga Kings Kros, Vaso Uliq, i cili emigroi në Australi në vitin 1979, për tu larguar përgjithmonë nga ky vend në fund të vitit 2005.

Besohet se ky rrjet në Australi, vetëm gjatë një viti arrin të fus të paktën gjashtë ton drogë-kokainë dhe ekstazi.

Problem tjetër për Australinë është fakti që ky shtet nuk ka marrëveshje ekstradimi me Malin e Zi, edhe pse policitë e këtyre dy vendeve po  bashkëpunojnë për këtë. Organet e rendit në Mal të Zi kanë pranuar për “News Corp” se tashmë kanë një duar dosjen për Uliqin.