“Art Club” boton librin “Mediat dhe kriza e identitetit” të autorit Ali Salaj

0

Në kuadër të edicionit botues të Shoqatës së Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” këto ditë është botuar libri “Mediat dhe kriza e identitetit” i autorit Ali Salaj.
Libri përbëhet nga dy pjesë. Në kapitullin e parë, të titulluar “Strategjia tregtare e mediave”, trajtohen problemet dhe dukuritë e mediave shqiptare, me theks të veçantë në mediat në gjuhën shqipe në Mal të Zi, kurse në kapitullin e dytë, të titulluar “Kroki”, janë përfshirë artikujt që autori i ka shkruar në formë editoriali në gazetën “Koha javore”, në një hark kohor prej dhjetë vitesh, “me synim nxitjen sadopak të vetëdijes dhe përgjegjësisë në jetën politike dhe publike të shqiptarëve në Mal të Zi”.

Redaktor i librit është Prof. Dr. Hamit Boriçi, recensentë Mr. Anton Gojçaj dhe Ma. Ismet Kallaba, redaktor teknik Fahrudin Gjokaj, kurse dizajni është punuar nga Gent Salaj.

Në vështrimin e tij, studiuesi i njohur i medias prof. dr. Hamit Boriçi thekson se libri përbën një sprovë të vlertë për rrjedhat e gazetarisë shqiptare në Malin e Zi dhe se kemi të bëjmë me një kontribut në dituritë për realitetet historike e bashkëkohëse të medias shqiptare në gjuhën shqipe në Malin e Zi.

Ndërsa recensenti mr. Anton Gojçaj thekson ndër të tjera se “Firma gazetareske e Ali Salajt nuk flirton me lokal-patriotizmin patetik dhe nuk është e rënduar nga kompleksi i ‘provincializmit’. Në parim, gjakon që çështjet lokale t’i trajtojë ashtu që të jenë në sinkroni, mundësisht edhe në koneksion, si me interesat kombëtare ashtu edhe me rrjedhat rajonale, por gjithmonë brenda standardeve profesionale.”

Ali Salaj është korrespondent i rregullt i “Zërit të Amerikës” (VOA) të Uashingtonit për Malin e Zi dhe kryeredaktor i gazetës “Koha javore”. Ai është autor i përmbledhjes me kritika të filmit “Në mbretërinë e imazheve”, e cila u shpërblye me Çmimin Vjetor të SHAI “Art Club”. Ky është libri i dytë i tij.

Botimi i librit është mbështetur nga Fondi për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave në Malin e Zi.

Në kuadër të veprimtarisë së tij botuese “Art Club”, botuesi më i madh ndër shqiptarët në Malin e Zi, ka botuar deri tani mbi 110 libra, kryesisht të autorëve shqiptarë në Malin e Zi.
Ulqin, më 1. 06. 2017 ​ SHAI “Art Club”