Arrestimi i Kryekomisarit, Kosova paralajmëron “masa reciproke” ndaj Serbisë

0

“Qeveria e Kosovës do të sillet në të ardhmen në mënyrë reciproke, nëse Qeveria e Serbisë vazhdon më arrestimin e oficerëve të lartë të shtetit të Kosovës apo të zyrtarëve të lartë”, ka paralajmëruar ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë.
Ministri Hoxhaj e cilësoi si “akt të papranueshëm arrestimin e drejtorit rajonal të Policisë së Kosovës, Nehat Thaçi” dhe njëkohësisht theksoi se po bëhen përpjekje të shtuara për lirimin e tij.
Drejtori rajonal i Policisë së Kosovës, për Mitrovicën Jugore, Nehat Thaçi, u ndalua të enjten e kaluar në vendkalimin kufitar në Konçul, mbi bazën e një fletarresti të Serbisë për, siç thuhet, veprën penale ‘të terrorizmit’. Një gjykatë në Nish, një ditë më vonë i shqiptoi masën e paraburgimit prej 30 ditësh.
Autoritetet në Prishtinë thanë se kanë kërkuar që çështja “Thaçi” të adresohet në dialogun që po zhvillohet në Bruksel, megjithëse BE-ja ende nuk ka dhënë asnjë qëndrim për arrestimin e drejtorit të Policisë së Kosovës. Ministri i jashtëm Hoxhaj tha se Qeveria e Kosovës ka kërkuar nga faktori ndërkombëtar që të bëhet presion mbi Beogradin zyrtar.