Arrestimi – 30 ditë paraburgim për Nehat Thaçin

0

Gjykata e Lartë në Nish i ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh, drejtorit rajonal të Policisë së Kosovës, Nehat Thaçi, i cili u arrestua nga policia serbe në vendkalimin kufitar në Konçul, në bazë të fletarrestit të autoriteteve serbe për, sic thuhet, vepër penale të terrorizmit.
Vendimin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, Iva Popoviç, zëdhënëse e Gjykatës së Lartë në Nish.
Ajo tha se vendimi për masën e paraburgimit për Nehat Thaçin u mor për shkak të “rrezikut nga ikja e dënimit që mund të shqiptohet prej më shumë se 10 vjetësh dhe për shkak të rrezikut për shqetësim të opinionit”
Drejtori i policisë për rajonin jugor të Mitrovicës është arrestuar të mërkurën nga Policia e Serbisë nën dyshimin për terrorizëm.
Autoritetet serbe kanë theksuar se Thaçi është arrestuar sipas fletarrestim të lëshuar nga Gjykata e lartë e Nishit në vitin 2009 për, siç thuhet, vepër penale të terrorizmit.
Rastin e Thaçit e ka marrë Prokuroria e shtetit për krim të organizuar, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Vladimir Stanojeviç, zëdhënës i Prokurorisë së lartë publike të Nishit.
“Tash, ku ai është privuar nga liria, hetimet do të vazhdojnë, ndërkaq që lënden e ka marrë Prokuroria për krim të organizuar”, ka thënë Stanojeviç.