Argëzon Sulejmani fitues i Konkursit të poezisë

0

Libraria Arti për të katërtin vit me radhë, organizoi Konkursin e poezisë, ku të gjithë latuesit e fjalës së bukur, patën mundësinë të konkurrojnë me poezitë e tyre me temë “Në gjurmët e mërgimtarit”. U grumbulluan 30 poezi me autorë shqiptarë nga vendet e ndryshme.

Komisioni i përbërë nga: Liridona Sinishtaj (studiuese e letërsisë), Jaho Kollari (poet) dhe Gazmend Çitaku (botues), dha vlerësimin e vet.

Në vend të tretë rezulton fitues poeti nga Korça, Arjan Kallço me poezinë Këpucë për larg dhe kjo nuk është hera e parë që poeti në fjalë renditet ndër fituesit e konkurseve të organizuara nga Libraria Arti.

Me vendin e dytë shpërblehet Greta Bandilli, poashtu nga Korça, me poezinë Dilemë.

Si poezia më e mirë u vlerësua Gjëma e ikjes e poetit nga Ulqini Argëzon Sulejmani.

Shtëpia Botuese DITI&OLI do bëjë botimin e përmbledhjes së të gjitha poezive pjesëmarrëse të Konkursit.

Në vijimësi mund të lexoni poezitë fituese.

Argëzon Sulejmani – Ulqin
GJËMA E IKJES

Përse ika, pyet shkëmbin
Burrë
Prej asaj ditë i thonë
Gurë

Përse u largova, pyet lumin
Grua
Prej të korbës natë lakohet
Përrua

Përse theqafa, pyet detin
Djalë
Prej të errtit ag u bë
Moçal

Përse u zhbëra, pyet qiellin
Vajzë
Prëj të çulltit diell i mbet
Varr

 


Greta Bandilli – Korçë

DILEMË

Në cilën Itakë të kthehem?
Atje nuk më njeh më njeri.
Do të endem përkrah të gjallëve,
si një i vdekur , i trishtë njeri

Ç’kërkoj në tokën që lashë pas?
Me vete kam çdo dhimbje
Çdo legjendë,çdo baladë
Dhe testamentin që s’e shkroi njeri.

Cila e vërtetë më kthen pas?
Në shtëpinë e braktisur përgjon vdekja
Lavdia ishte i fundmi borxh
Që nuk u pagua mbi rrënoja.

 

Arjan Kallço – Korçë
KËPUCË PËR LARG

I vesha një palë këpucë të reja
Të blera enkas tek Qafa e Pazarit
Për të ikur larg prej Ulqinit tim
Të dashur. Një palë sy të shehur
Pas gërmave të një emri rruge
Më pa shtrembër e me zë të mekur
Më tha: Ku po shkon o shtegtar i marrë,
A nuk të mjafton eksodi ynë biblik
Shekuj më parë? Kokën e ktheva pas
E një premtim i bëra Kastrioti : edhe
Në s’u kthefsha më, dije o prijësi ynë,
Se prapë do mbetem shqiptar.
Këmba tek këpucët i futa dhe
Tek bregu i përshëndeta me dhimbje
Të gjitha horizontet frymëdhënëse:
Ti, qyteti i lashtë, je djepi im që më linde
Je zoti vetë që më dhe bekimin
Sapo dola në dritë duke qarë.