Arbneshi i Zarës – Dhimbja e së kaluarës

0

Shkruan: Anisa Papleka (Gazeta „SHQIP“)
Ngado që të futesh në qytetin e Zarës, domosdo se duhet të kalosh nëpër Arbnesh, qoftë në rrugë detare, automobilistike apo hekurudhë. Pastërtia, rregulli dhe arkitektura karakteristike i tërheqin vëmendjen çdo kalimtari. Kisha e re, me kambanore të lartë, me mure guri, ngrihet lart mbi të gjitha godinat tjera. Aroma e luleve, pemët e shumta, llojesh të ndryshme, rrugët e ngushta, disa të shtruara me kalldrëm, janë ciceroni më i mirë për këtë vendbanim. Sidomos kur lexon emrat e rrugëve: “Mbretëresha Teuta”, “Gjegj Kastrioti Skënderbeu”, “Gjergj Fishta”, “Josip Rela”, etj., për ne shqiptarët është e qartë se jemi në Arbnesh. E Arbneshi, ashtu qetë-qetë, sikur nuk dëshiron të largohet nga e kaluara. Arbneshasit, mikpritës, shumë bujarë dhe tepër dashamirës, të ftojnë brenda sapo marrin vesh se je shqiptar. Kush të fton për kafe, një tjetër për një raki, e një i tretë që të bisedojë e të çmallet me gjakun e tij. Biseda fillon shtruar, ashtu valë-valë, si uji i detit që përplaset në Vaun e Joviqit /Gjonit/. Ashtu pa u ndjerë, mblidhen pleq e të rinj. Të gjithë kureshtarë për të dëgjuar fjalën shqipe, për të ndjerë gjuhën e gjyshërve të tyre, për të rikujtuar të kaluarën e tyre sa tragjike, që edhe të mjerë. “Ne banorët e Arbneshit jena prush i ndezur dhe kena gjak arben”, thotë Bruno. “Sa herë-herë ndiejmë mirë për Arbninë, zemra na rref më shumë, kurse gjaku na valon në trup”, ia pret Xhani, flokëthinjur. “Brigjet e Dalmacisë nuk kanë qenë të huaja për shqiptarët e Shqipërisë etnike”, rrëfen Pino Gjergja dhe vazhdon: “Këto troje janë të fisit të Dalmatëve të Ilirisë, e këtu në Zarë gjithmonë ka pasur shqiptarë. Në vitin 1437 kemi disa familje bujare shqiptare, por edhe në vitet e mëvonshme, e sidomos në vitin 1602, kemi 200 banorë shqiptarë si dhe familje bujare, në krye guvernatorin shqiptar, Pal Gjinin. Pra, ne këtu, që kur jemi vendosur, kemi vazhduar një traditë të moçme, të të parëve tanë”. E zonja shtëpisë, Ana Peroviqi, me një zë melodik, kumbues dhe tepër të këndshëm, pas bisedës së parë njohëse, ia fillon një kënge arbëreshe, e si në kor, të gjithë e përcjellin. Ky është nderi më i madh që i bëhet mysafirit. Kënga tregon fatin e arbëneshasëve:

“Nër mal mi Liqen të Shkodrës,

Në Brisk Shestan ele Livarje,

Të veta shpijat i lishoven,

Po ul u gjetën me familje.

Mendimet t‘jona po frutulojn,

Të randa vjeteve të parve ton,

Ata kur kejshin të dëbuom,

Për fen krshten – katolike jon”.

Është shumë interesante, se gjatë vizitave që kemi bërë te këta vëllezër gjaku, në Arbnesh, çdoherë pa asnjë rezervë, ata pohojnë përkatësinë e tyre kombëtare shqiptare. Pjesa më e madhe e tyre e flasin gjuhën shqipe, e cila, për fat të keq, është në zhdukje e sipër. Kjo është një shqipe e dialektit të vjetër, gegë arkaik, e cila në vete ruan një brumë mjaft interesant për gjuhëtarët, për pasurimin e fondit leksikor. Përveç gjuhës, në Arbënesh ruhen reliktet të vjetra dhe eksponate të ndryshme shtëpiake të sjella nga atdheu. Arbëreshët e rajonit të Zarës janë shumë interesantë si ngulim, edhe për atë se ka ruajtur deri më sot tipare të karakterit gjenetik të veçantë dhe një mentalitet, i cili i dallon ata nga popullsia kroate përreth.

Arbneshi ka mbajtur lidhje të rregullta me atdheun

Thënë më drejtë, ai ka frymuar me ngjarjet që ka kaluar Shqipëria. Ishin Arbëneshasit, ata që hedhin tutje mosmarrëveshjet e ndryshme, por edhe ato ndërpartiake, iu bashkohen vëllezërve të tyre, dhe duke i përkrahur, me peticione e memorandume, tubime e demonstrata, apelojnë te fuqitë e mëdha ndërkombëtare t‘iu ndihmojnë shqiptarëve të fitojnë pavarësinë. Me rastin e shpalljes së pavarësisë, një delegacion i përbërë nga burrat më të njohur të Arbneshit, viziton Shqipërinë dhe qeverinë e Ismail Qemalit. Ngjarjet e bujshme që shoqëruan shpalljen e pavarësisë së shtetit shqiptar, si dhe lufta që shqiptarët u detyruan ta zhvillojnë në muajt e parë të pavarësisë, për përkrahje ndërkombëtare të shtetit të ri, solli nevojën e thirrjes së kongresit të shqiptarve në Trieshtë, në të cilin morën pjesë jo vetëm shqiptarët e Shqipërisë, por edhe ata të diasporës. Kongresi, me pjesëmarrjen e afro 200 delegatëve, zhvilloi punimet prej 1 deri më 4 mars 1913. Në të mori pjesë edhe një delegacion nga Arbëneshi, i kryesuar nga Pal Gergji. Pali mbajti në kongres një referat mjaft interesant në gjuhën shqipe me titull: “Ballkani dhe popujt e Ballkanit”, ku nuk harroi të përmendë diasporën shqiptare dhe rolin që ka luajtur dhe që do të luajë në të ardhmen për ndihmë shtetit amë!

Kontribut të veçantë dhanë arbneshasit edhe gjatë luftës së fundit të kosovarëve, kur këta u detyruan të lëshojnë vatrat e tyre të ndjekur nga okupatori serb. Ndihmat humanitare dhe format e tjera, si dhe pranimi dhe strehimi i disa dhjetëra familjeve refugjate ishte një kontribut modest, i cili në fakt, siç e pohojnë edhe vetë arbneshasit, u kujton atyre fatin e hidhur që kanë pësuar edhe ata vetë, para 280 vjetëve.

Arbneshin, herë pas herë e kanë vizituar edhe personalitete politike dhe kulturore si: Fan Noli, Faik Konica, Simon Ferizi, at Gjergj Fishta, Nikollë Ivanaj, at Shtjefen Gjeçovi, etj. Arbneshi në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX ka shërbyer si një urë lidhëse për Shqipërinë, në mes Italisë dhe Austro-Hungarisë. Pothuajse çdo veprim politik ka shkuar përmes Arbneshit! Kjo gjë ka mundësuar lidhjet intensive dhe të shumta me Shqipërinë. Një pjesë e mirë e intelektualëve tanë ka botuar veprat e veta në Zarë, duke shfrytëzuar lidhjet me personalitet e Arbneshit, Fishta, Prendushi, Gjeçovi, etj.

Problemi i diasporës shqiptare, si pjesë përbërëse dhe shumë e dhimbshme kombëtare, kohët e fundit është gjithnjë e më aktual në rrethet shkencore e politike, si brenda, ashtu edhe jashtë vendit. E kaluara e Arbëneshit, si koloni shqiptare, jeta shoqërore, politike, ekonomike dhe kulturore, gjatë shekujve XVIII-XX, ka tërhequr vëmendjen e shumë studiuesve vendas e të huaj, të fushave të ndryshme, të shkencave filologjike dhe shoqërore.

Shpërngulja e shqiptarëve si pjesë e një marrëveshjeje sekrete, e cila parashihte që vendin e tyre ta zinin kolonistët sllavë 

Studimet e shumta dhe të llojllojshme, linguistike, etnografike, arkeologjike, sociologjike, ekonomike, politike, në të cilat në mënyrë krahasuese është tentuar të studiohet dhe paraqitet gjendja e tanishme e ruajtjes së elementeve gjuhësore, traditës, etnografisë, zejtarisë, përkatësisë kombëtare, e posaçërisht përshtatja e rrethanave të reja shoqërore, politike dhe kulturore në një ambient të ri me ndryshime të konsiderueshme në karakter dhe mentalitet, nuk na kanë dhënë një sintezë apo studim të kompletuar, duke krijuar kështu një zbrazëti, të cilën shpresojmë se së shpejti do ta tejkalojmë, me një studim komplet, të mbështetur në hulumtime dhe kërkime disavjeçare, ku janë përfshirë momentet që nga shpërngulja e parë e deri në fillim të Luftës së Dytë Botërore.

Kolonitë shqiptare në brigjet e Adriatikut janë mjaft karakteristike. Në to pasqyrohen shumë elemente të veçanta dhe mjaft të rralla, të cilat nuk i hasim në diasporën shqiptare. Numri i këtyre kolonive nuk është i vogël, disa u kanë përballuar rrebesheve të kohës, e disa janë asimiluar fare dhe për to dihet vetëm se kanë ekzistuar. Njëra nga këto koloni që veçohet më së shumti dhe ka diçka të posaçme, është Arbneshi i Zarës – Borgo Erizzo. Përveç këtij emri, të themi zyrtar, sipas dokumenteve që ruhen në arkivin historik të Zarës, kjo lagje, nga popullsia kroate, në fillim u njoh me emrin Eriçin Varosh /Ericovo selo/, e më vonë edhe Arbanasi; dhe Arbnesh, nga vetë banorët shqiptarë.

Në vitin 1721, nga fshatrat rreth Liqenit të Shkodrës, Brisk, Shestan Ljajre, u shpërngulën 32 familje shqiptare me 227 frymë dhe u vendosën në paralagjen e Zarës, që u quajt Borgo Erizzo, sipas providurit gjeneral për Dalmaci e Shqipëri, Nikola Erizzo. Shkaqet e shpërnguljes duhet shikuar në prizmin e ngjarjeve të kohës dhe rrethanave politiko-shoqërore. Luftërat e shumta, sëmundjet, plaçkitjet, ftesa e të rinjve shqiptarë për rekrut në ushtrinë turke, kushtet e rënda ekonomike, varfëria e madhe, trysnia e ushtruar nga ana e Perandorisë, që të ndërrojnë fenë si dhe pazarllëqet e dëmshme në kurriz të shqiptarëve, për interesa të caktuara në mes të Venedikut, sllavëve dhe disa personaliteteve kishtare. Këto shkaqe studiues të ndryshëm, varësisht nga pikëpamjet, orientimet, analizat dhe shqyrtimeve të materialit arkivore, i trajtojnë në mënyrë të ndryshme, e shpeshherë edhe kontradiktore.

Iniciator kryesor për këtë shpërngulje ishte kryeipeshkvi i Zarës, Visk Zmajeviqi. Është mjaft indikative një marrëveshje sekrete në mes Zmajeviqit, përfaqësuesve sllavë dhe Venedikut e vitit 1713, në të cilën vendoset që të shpërngulen shqiptarët e rreth Liqenit të Shkodrës dhe të Shqipërisë Veriore. Tokat e të shpërngulurve do t‘u ndaheshin serbëve, ndërsa shqiptarët do të vendoseshin në Zarë, në afërsi të Pulës dhe qytete të tjera bregdetare dalmatinase. Deri diku, ky plan edhe është realizuar, por për fat të mirë jo në tërësi. Në këtë kuadër duhet shikuar edhe shpërngulja e Kelmendasve në vitin 1737, në Srem. Përveç shpërnguljes së vitit 1721, kemi edhe tri shpërngulje të tjera të rëndësishme, të shqiptarëve në Arbnesh, por edhe vendbanimet përreth Zemunik dhe Plloqe; në vitet 1726, 1727 dhe 1733. Pos këtyre shpërnguljeve, kemi edhe disa të tjera, por që janë më të vogla. Numri i familjeve të shpërngulura është me qindra, kurse frymët janë me mijëra. Në të gjitha shpërnguljet, të shpërngulurit ishin shqiptarë, edhe pse disa studiues kanë tentuar që të nxjerrin disa familje me origjinë sllave, kryesisht duke u mbështetur në prapashtesat me: iq dhe viq.

Në Arbnesh janë ruajtur shumë toponime, mikrotoponime dhe antroponime shqiptare. Pas vendosjes në Arbnesh, Zemunik dhe Plloqe, arbneshasit, si punëtorë të vyeshëm, u dalluan në: bujqësi, blegtori, zejtari, tregti dhe një pjesë e vogël u mor edhe me peshkim. U shquan sidomos për prodhime bujqësore, nga ku furnizonin gjithë qytetin e Zarës. U ruajt e drejta zakonore. Kryeplaku, ose në arbnishte “shkopi i katundit” e kishte fjalën kryesore në konflikte të ndryshme dhe mosmarrëveshje. Ai zëvendësonte institutin e gjykatës. Në Arbnesh janë ruajtur edhe sot e kësaj dite disa toponime me origjinë shqiptare si: Karma, Fusha e Vorreve, Fusha e Arbneshit, Bregdeti, Vani i Joviqit, Vilat, Grapa, Shkambat, Kisha, Kulla, etj. Por edhe mbiemra krejt shqiptarë si: Kalmeta, Gjergji, Petani, Nikpali, Marshani, Deshpali, Marseni, Çoba, Luka, Vuka, Ndreka, Gjoni, Marku, Gjini, Stani, Nika, Duka, etj.

Përshkrimet që i janë bërë Arbneshit dhe banorëve të tij, janë mjaft interesante dhe zbavitëse. Po veçojmë atë të Stjepan Buzoliqit, i cili shkruan se “Arbneshi nga përendimi kap livadhet e gjelbërta – fusha e Zarës; nga veriu shtrihen kopshtijet, arat dhe vreshtat e panumërta; nga lindja dhe jugu vijnë valët e lehta të detit që lëkundën ngadal nën gjiun e mrekullueshëm të Zarës. Arbneshët – vazhdon Buzoliqi – janë njerz me faqe të kuqe, që pëlcasin nga shëndeti. Shikim e kanë të mprehtë dhe plot zjarrë, shtatin e mesëm, por të bukur. Për nga karakteri janë hijerëndë sa edhe të njerzishëm. Fjalën e kanë në majë të gjuhës, shpërthejnë si orteku, por edhe qetësohen shpejt, zërin e kanë melodik dhe këndojnë shumë bukur”. Ndërsa Josip Vlladoviq Rela, në përshkrim e tij veçon: “Gratë e janë po ashtu shtatëhedhura e të drejta, të njohura anembanë si të bukura. Përndryshe ishin të zgjuara, të çiltëra, të vendosura dhe burrnore. Në fillim shtëpitë i kishin përdhese, por të pastërta dhe të rregulluara me mirë. Më vonë filluan të ndërtojnë kulla të rrethuara me mure të larta dhe me kopshte me lule për rreth. Këto janë, pa mëdyshje, rrjedhim i zakoneve nga viset e tyre të vjetra”.

Që nga kur u vendosën në Arbnesh, kryeipeshkvi Zmajeviq kishte vendosur që çdo vit, një i ri nga Arbneshi të ndiqte mësimet në Seminarin Ilirk të Glagolicës në Zarë. Nga ky shkak kemi edhe një numër të madh priftërinjsh. Duhet cekur se arbreshasit janë besimtarë të mëdhenj. Rregullisht shkojnë në kishë. Shkolla shqipe në Arbnesh është hapur në vitin 1901 dhe ka vazhduar deri në vitin 1918. Fillimisht, në Shkollën Normale dhe ushtrimoren e saj, e pastaj edhe në shkollat fillore të femrave. Mësuesit, të cilët kanë punuar në Arbnesh, janë: at Pashk Bardhi dhe at Shtjefën Gjeçovi, dr. Gjergj Koleci, prof. Anton Paluca, prof. Shtjefën Rrota dhe prof. Pal Gjergji. Arbneshi, si vatër e kulturës dhe e shkollës, ka nxjerrë mësues, të cilët kanë shërbyer në vende të ndryshme duke dhënë mësim në gjuhën shqipe si: Josip Vlladoviq – Relja, në Vuthaj; Tomë Moroviqi, në Plavë; Budimir Peroviqi, në Pejë; Zef Duka, në Gjakovë, Pal Gjergji në Prizren, etj.

Arbneshët e Zarës në fund të shekullit XIX vunë lidhjet e para me kolonitë e tjera shqiptare si në Itali, Rumani, Egjipt, etj., ngaqë ata i bashkonte ideja kombëtare shqiptare dhe dëshira për shtetin e tyre të pavarur. Në të vërtetë, me arbëreshët e Italisë vunë kontakte përmes revistës “La Nazione albanese” në vitin 1897, e cila botohej në Romë. Nuk është rastësi që po këtë vit, d.m.th., më 1897, kur filloi të botohet edhe e famshmja “Albania” e Faik Konicës, arbëreshët bënë përgatitjet e para për botimin e gazetës së tyre në gjuhën arbëneshe me emrin “Zani i Shqyptarit”, e cila duhej të dilte dy herë në muaj, por për shkaqe politike nuk e pa dritën e botimit kurrë.

Kompaktësia territoriale, lidhjet e ngushta në mes të gjithë anëtarëve të kësaj oaze, në fund të shekullit XIX dhe fillimit të atij XX, luajnë një rol vendimtar për zhvillimin kulturor, intelektual, ekonomik dhe politik të këtij territori arbneshësh në Dalmaci. Ky “grusht” arbneshësh do të shënojë suksese të jashtëzakonshme në fusha të ndryshme të veprimtarisë shkencore, fetare, politike, ekonomike, diplomatike, universitare, muzikore, sportive, duke e bërë të njohur edhe jashtë kufijve të Kroacisë dhe popullit shqiptar në përgjithësi.