Analizat e ujit mashtrim i dirigjuar?

0

Siç duket së shpejti afera me ujin e ndotur në ujësjellësin e Ulqinit do të hyjë në fazën përfundimtare.

Pas analizave që për këtë ndërmarrje ka kryer Instituti për shëndet publik në Podgoricë, që treguan se uji është i pastër, edhe pronaret e lokaleve kanë dërguar ujin për analizë në këtë institut.

Këta pronarë kishin problem me marrjen e lejes sanitare, pasi analizat e bëra nga laboratori i Shtëpisë së shëndetit në Tivar, tregonin se uji nuk është i pijshëm.

Nëse analizat e Institutit konfirmojnë pastërtinë e ujit, njëri nga pronarët e lokaleve ka paralajmëruar se do të ngrejë akuzë gjygjësore ndaj Shtëpisë së shëndetit në Tivar, ose në të kundërten, ndaj ndërmarrjes së ujësjellësit në Ulqin.

Drejtori i ndërmarrjes Fehim Avdiu, për gazetën “Vijesti” tha se Instituti për shëndet publik është institucioni i vetëm i licencuar për analizë uji në Mal të Zi, dhe se nuk është çështje e tij rë merret me analizat e Shtëpisë së shëndetit në Tivar. Drejtori i saj Rade Vuleviq, nuk i është përgjigjur telefonatave të gazetarit të “Vijesti”-it.

Se diçka më e madhe po luhet në këtë çështje tregon edhe llogaria e bllokuar e ndërmarrjes “Ujësjellës-Kanalizime”, bllokim që  ka ndodhur fill pas refuzimit të saj për nënshkrimin e kontratës së re me Ujësjellësin Regjional, i cili punon me humbje dhe para pak kohësh ka akuzuar komunat se nuk marrin ujë sa duhet nga kjo ndërmarrje.

Qarkullojnë zëra se analizat që treguan ndotjen e ujit si dhe bllokimi i xhiro llogarisë së ujësjellësit, nuk janë kurrgjë tjetër vetëm metoda presioni dhe mashtrime ndaj opinionit të gjërë.