Ali Salaj: Avancimi teknologjik dhe informimi

0

Portalet dhe lajmet tallava

 

Zhvillimi dhe përdorimi i mediave sociale ka krijuar një komunitet tejet të madh të internetit duke shkaktuar një konkurrencë të paparë që rrezikon shtypin e shkruar. Avancimi teknologjik ka krijuar një komunikim të ri, i cili përfshinë informimin e shpejtë on-line, me gërshetimin e lajmit, fotografisë dhe videos. Këtë teknologji adhuruesit e posedojnë edhe në telefonat e tyre të mençur duke i dhënë hapësirë çdokujt, në çdo kohë dhe në çdo vend, për të krijuar qasje në këto media sociale.
Vetëm me një “klik” lajmi e ndjekë lexuesin dhe atë falas, duke shkaktuar kaos të paparë tek mediat klasike, për ti falimentuar gazetat, të cilat kanë mbijetuar për afro 150 vjet dhe të cilat ishin mjeti më i pranueshëm për informim. Portalet, Facebook dhe Twitter, të njohura si media sociale, janë përfshirë në shumë ngjarje duke shkaktuar revolucion në fushën e informimit. Këto media u përfshinë në zgjedhjet politike italiane, irakiane , në lëvizjen Occupi Wall Street apo në Pranverën Arabe, të cilat shkaktuan ndryshime pozitive, por edhe pasoja të skajshme shoqërore që vështirë se mund të rikuperohen. Kjo sinjalizon se liria kibernetike mund të jetë e pranueshme dhe frytdhënëse në shoqëritë e qytetëruara dhe të zhvilluara, por në rrethanat e një demokracie të kufizuar ato mund të jenë kontraproduktive. Në vendet ballkanike, mediat sociale përdoren si një kamuflim nga ajo që në jetën reale kanë frikë ta thonë ose janë të vetëdijshëm se në atë realitet janë askushi. Me identitete të rrejshme dhe me pseudonime, ata shprehin komente fyese dhe banale duke i shndërruar këto media në një bërllog që kundërmon erë të keqe dhe të padurueshme. Këto media tallava i japin hapësirë, siç do të shkruante shkrimtari i njohur italian Umberto Eco çdo” budallait”.
“Më përpara ata flisnin vetëm në kafene pas një gote me verë, pa e dëmtuar komunitetin. Ua mbyllnin menjëherë gojën, ndërsa tani kanë të njëjtën të drejtë fjale me një fitues të çmimit Nobel. Është pushtim nga budallenjtë” shkruan Eco për strukturën e internetit.
Këtë fenomen studiuesi Gilman Bakalli e cilëson si “shitstorm” e që sipas tij është një lloj fenomeni meteorologjik në internet i cili, përmes jashtëqitjes verbale, synon ta rrafshojë çdokënd që guxon të mendojë ndryshe. Është ky një linçim nga turma e verbër virtuale. Është koha e “budallenjve të katundit” që për çdo ditë po e degradojnë gjuhën publike.
Për këtë arsye është mitrëpritë në qarqet intelektuale vendimi i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, sipas së cilit portalet e lajmeve janë përgjegjëse për publikimin e komenteve të lexuesve. Bazuar në vendimin e Gjykatës thuhet se portalet fitojnë financiarisht duke lejuar komente fyese. Ky vendim mund të detyrojë shumë medie “online” të ndryshojnë politikën rreth botimit të komenteve fyese e kërcënuese të lexuesve duke kërkuar zbatim përmes Gjykatës Kushtetuese dhe gjykatave të rregullta në çdo vend evropian. Ky fakt do ti disiplinojë portalet duke ndikuar në ruajtjen e etikës së gazetarisë pasi përgjegjësia mbi komentet e lexuesve do ti mbajë redaksia. Në këtë mënyrë portalet do duhen të sigurojnë stafin redaktues për ti futur portalet në kornizat normale të etikës së gazetarisë.
Gati të gjitha portalet në gjuhën shqipe në Mal të Zi përdorin gjuhën e urrejtjes dhe atë denigruese, shpesh duke bërë edhe fushatë kundër personave të caktuar mbi bazën e bindjeve politike apo mbi bazën e interesave klanore. Në këto portale dominon lajmi i paverifikuar, i cili me një shpejtësi kopjohet nga një portal në tjetrin duke krijuar iluzionin se lajmi është tejet i rëndësishëm. Aty botohen “lajme” me fjalë dhe imazhe për dasmën e djalit të ndonjë biznesmeni, për lindjen e binjakëve te ndonjë këngëtareje, gërmimi nëpër facebook të ndonjë politikani të dështuar, komente të “budallenjëve” që nuk e kanë kulturën elementare të të shkruarit.

Këto portale nuk bëjnë dallimin mes të mirës publike dhe përfitimit, por kryesisht shërbejnë për njollosjen e kundërshtarit politik dhe për lartësimin e figurave partiake. Në këto portale, që dikush do ti quante portale me një “gazetar”, edhe atë anonim, botohet çdo gjë që ka të bëjë me betejat për pushtet, sulme të ulëta dhe primitive në emër të partive dhe të liderëve të tyre, akuza dhe kundërakuza që nxjerrit të palarat në mënyrën më të pahijshme duke e kontaminuar opinionin dhe shoqërinë me gazetarinë e njëanshme dhe partizane.