Akuza të reja në PDS-në e Ulqinit. Votat në konventë i ka numëruar edhe vajza e Nrekiqit

0

Antarët e pakënaqur të kësaj partie në Ulqin, kanë bërë publike akuza të reja në lidhje me mbarëvajtjen e konventës zgjedhore të mbajtur para pak kohëve, shkruan “Dan” në numrin e sotëm.

Sipas ankesës që ato i kanë dërguar Komsionit Statutor të PDS-së, komisioni për numrimin e votave ishte i përbërë nga njerëz besnik dhe të lidhur ngushtë me kryetarin Loro Nrekiq si Rexhep Taganoviq, Tihomir Rakoceviq, Zoran Vucetiq, Enisa Martinoviq dhe Hysein Katana. Në këtë proces, thonë ata, është kycur edhe vajza e Nrekiqit Nikoleta, edhe pse nuk ishte antare e komisionit.

Ata thonë se Rexhep Taganoviq është partner pune i Nrekiqit, Tihomir Rakoceviq mik i ngushtë i vajzës së tij Nikoleta, Zoran Vucetiq punëtor në EEMZ i punësuar nga Nrekiq pa konkurs, Enisa Martinoviq kumbareshë e vajzës së tij, kurse Hysein Katana me mbështetjen e Nrekiqit është zgjedhur për të pestën herë drejtor i gjimnazit.

Sipas tyre, është e lehtë të vërehet se ishte e parapërgatitur më parë se kush duhet të hyjë në Këshill, edhe për faktin e numrit të votave që ato kanë marrë. Të pakënaqurit e quajnë këtë proces si të manipuluar në mënyrë amatore, pasi antarët e komisionit dhe të afërmit e tyre kanë marrë numrin më të madh të votave, cka ka krijuar jo pak habi.

Antari i komisionit Tihomir Rakoceviq ka marrë 108 vota, vajza e Nrekiqit Nikoleta 101, vajza e kryetarit të komisionit Besiana Taganoviq 98, Enisa Martinoviq 76, Zoran Vucetiq 66, Gjovalin Shkrela 93, Donika Shkrela (vajza e Luigj Shkrelës) 98 vota…e kështu me rradhë.

Ato poashtu akuzojnë edhe për nepotizëm familjar, ku të afërmit dhe familjarët e famljeve Nrekiq dhe Shkrela, përbëjnë gati gjysmën e Këshillit Komunal të kësaj partie.