Ahmeti: Vetëvendosja është kundër vizitës së Ramës në Beograd

0

Kur kanë ngelur vetëm pak ditë nga vizita zyrtare që kryeministri Edi Rama parashikon të zhvillojë në Serbi kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti vjen në Tiranë për të përcjellë mesazhin se “Vetëvendosja” është kundër vizitës së tij në Beograd. Në RTV Ora News, vetëm pak minuta para se të takohet me kryeministrin Edi Rama, Shpend Ahmeti tregon se çfarë do t’i thotë Ramës në takimin që do të zhvillohet në kryeministri.

“Ne si Vetëvendosje kemi shprehur kundërshtimin për një vizitë të tillë, jo pse ne nuk jemi për marrëdhënie të mira të fqinjësisë së mirë mes shtetit shqiptar dhe atij serb, por mendojmë se xhelati duhet të kërkojë falje jo viktima. Me këtë vizitë po duket sikur shqiptarët prapë po e bëjnë hapin e parë sikur ne kemi faj për të kaluarën dhe jo pala serbe e cila fare nuk po tregon asnjë gadishmëri për të ndryshuar qëndrimin e saj drejt Kosovës” ka thënë Ahmeti.

Sipas tij, Serbia i ka bërë shumë krime dhe në asnjë mënyrë nuk kanë kërkuar falje dhe nuk duan të dëgjojnë për Republikën e Kosovës, ne mendojmë se ky është hap i hershëm dhe duhej të vinte së pari nga Republika e Serbisë dhe jo Republika e Shqipërisë.

“Janë 10 kushte të cilat Kosova i ka dhënë, apo ne si “Vetëvendosje” kemi prezantuar që duhet të përmbushen para se të ulemi në tavolinë me qeverinë serbe. Ne asnjëherë nuk kemi thënë se jemi kundër popullit serb por kundër qeverisë serbe karshi shqiptarëve.  Mendojmë se Kosova dhe Shqipëria duhet të kenë një politikë të jashtme. Kombi shqiptar duhet të ketë një politikë të jashtme që të bazohet në kushtet: që Serbia të marrë përgjegjësinë për atë që ka ndodhur në Kosovë në aspektin moral, ligjor dhe financiar, por në të njëjtën kohë Serbia duhet të njohë pavarësinë e Kosovës e cila tashmë është realitet. Sa më shpejt ta pranojë këtë realitet, për ne do të jetë një sinjal i mirë që ata me të vërtetë e duan fqinjësinë e mirë. Nëse ata tërë kohën tentojnë të na shkatërrojnë jetën, duke protestuar për cdo gjë, duke u munduar të na e vështirësojnë jetën në Kosovë atëherë tregon qartë se nuk e kanë ndryshuar qëndrimin karshi Kosovës. Ne nuk besojmë se një vizitë e Kryeministrit Rama do ia ndryshojë Serbisë qëndrimin karshi Kosovës. Mendojmë se duhet të merren hapa të tjerë politiko ekonomike që të ndryshojnë qëndrimin” ka thënë mes tjerash Ahmeti.