Ahmetaj-Kavariq: Na duhet një paketë e përbashkët turistike

0

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë, Turizmit dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj, në një konferencë të përbashkët për shtyp me homologun malazez, Vladimir Kavariq, theksoi se për zhvillimin e rajonit nevojitet bashkëpunimi rajonal si dhe hartimi i projekteve të përbashkëta.

Ahmetaj nënvizoi se hartimi i projekteve të përbashkëta do të bënte të mundur tërheqjen e investitorëve strategjik.   “Kemi konkluduar që të hartojmë projekte të përbashkëta zhvillimi për t’i paraqitur, në 27 gusht, kohë kur qeveritë e rajonit do të mblidhen në Vjenë”, tha Ahmetaj.

Dy ministrat theksuan domosdoshmërinë edhe të një pakete të përbashkët turistike, si dhe futjen në treg të sa më shumë kompanive “low cost”. Aktualisht në Shqipëri nuk ka asnjë kompani ajrore “low cost”, duke bërë që qytetarët shqiptarë të paguajnë shtrenjtë për fluturimet drejt destinacioneve të ndryshme.