Ulqini pa akua park, Rudoviqët pa tokë

1

Saga e ndërtimit të akuaparkut në Ulqin, si dhe problemet që po e përcjellin këtë investim tepër të nevojshëm për turizmin e qytetit, duket se nuk kanë të sosur.

Vazhdës së protestave të familjes Rudoviq kundër ndërtimit të këtij parku që, siç pretendojnë ata, po bëhet në tokën e tyre, ditët e fundit i është shtuar edhe një veprim mjaft i çuditshëm.

Mësohet se Anto Rudoviq ka ngritur padi penale kundër sekretarit për mbrojtjen e pasurisë në Komunën e Ulqinit Gzim Haxhibeti për, siç thotë Rudoviq, keqpërdorimit të pozitës zyrtare me propozimin që i ka bërë Kuvendit komunal për shpalljen e vendimit për ftesë publike me qëllim dhënien me qira të tokës për ndërtimin e akua parkut.

Para se të kthehemi tek kjo padi, duhet medoemos të sqarohen disa gjëra që i kanë paraprirë gjithë kësaj.

Rudoviqët kanë vite që e kërkojnë kthimin e kësaj toke, por gjykata çdo herë e ka hedhur poshtë pretendimin e tyre. Siç mund të shihet edhe në fotot më poshtë, Gjykata Themelore në vitin 2007 dhe ajo e Lartë në vitin 2009, e kanë cilësuar kërkesën e familjes Rudoviq si të pabazë. Rasti më i fundit ndodhi para disa ditëve, kur edhe Ministria e financave e anuloi vendimin e Komisionit për kthimin e pasurisë për kthimin e kësaj toke në pronësi të familjes Rudoviq.

E drejta për pronësi është e shenjtë dhe, nëse atyre iu është bërë padrejtësi, kanë të gjitha arsyet të jenë të indinjuar. Ajo çka ngjall habi në gjithë këtë është se Rudoviqët kurrë nuk kanë protestuar para gjykatës për këto vendime. Para Komunës po, bile edhe para zyrës së kryetarit Gjeka, por jo aty ku ,sipas tyre, ju mohohet e drejta e pronës. Nuk ka të dhëna që për këtë çështje të kenë kërkuar mbrojtjen e deputetëve nga Ulqini në Kuvendin e Malit të Zi, e as institucioneve europiane, si rezultat i padrejtësisë së organeve shtetërore.

Komuna e Ulqinit nuk mund të vendos për kthimin e kësaj prone familjes së tyre, e aq më pak mund ta bëjë këtë sekretari Haxhibeti. Atëherë çdo qytetarë ka të drejtë të shtrojë pyetjen, përse e gjithë kjo? Përse ngrihet akuzë e cila dihet paraprakisht se do të dështojë?

Nëse Rudoviqët janë të bindur se toka u takon atyre, atëherë veprimet e që ato kanë ndërmarrë në këtë drejtim  janë shumë të palogjikshme.  Së pari, toka atyre nuk u mohohet nga Komuna e Ulqinit, por nga gjykata, e cila është institucion shtetëror, dhe në vend që protesta, indinjimi, iniciativat për ndryshimin e gjygjtarëve të çështjes, apo edhe apeli ndaj institucioneve europiane, duhej të ishin drejtuar në këtë drejtim, e jo ndaj Komunës.

Kurse padia ndaj sekretarit Haxhibeti ka edhe elemente komike, pasi ai nuk mund ti bënte propozim Kuvendit për ftesë publike pa urdhër nga kryetari Fatmir Gjeka. Pse Rudoviqët padisin Haxhibetin e jo Gjekën është pyetje që vetëm ata mund ti japin përgjigje. Por nëse arsyet janë politike, atëherë çdo luftë legjitime e familjes Rudoviq për kthimin e pronës bie në ujë, dhe më këtë edhe mbështetja e opinionit publik.

Kuptohet që edhe padia ndaj kryetarit Gjeka, ashtu si edhe kjo ndaj sekretarit Haxhibeti, mund të ketë vetëm efekt politik, pasi ato nuk kanë bërë asgjë të paligjshme, çka shpejt do ta thotë edhe gjykata.

Fatkeqsisht, këto veprime në popull veç kanë filluar të ngjallin mendimin se politika edhe njëherë ka përzier gishtat e vet aty ku nuk i takon. Dhe kësaj radhe Rudoviqët, ndoshta edhe pa qëllim, i kanë fryrë zjarrit vetë.

Gjëja më e fundit që ato do të donin, është që njerëzit të mendojnë se nuk po luftojnë për tokën por kundër ndërtimit të akua parkut.

Dihet mjaft mirë se ndërtimi i këtij parku, ndonjë hoteli, ose i çdo investimi që mund të përmirsonte ofertën turistike në Ulqin ka dekada që u pengon qarqeve të caktuara në Mal të Zi. E dëshmon këtë situata ekonomike e qytetit, fati i Galebit, i Lidos, Kripores. Kjo tendencë është aq e qartë sa qytetarët e Ulqinit as nuk diskutojnë më për të. E konsiderojnë si fenomen natyror, të ngjashem më vërshimet.

Por vërshimet kalojnë dhe uji tërhiqet, kurse pasojat e gjithë kësaj drame të panevojshme do të kenë vetëm një përfundim:

Ulqini pa akua park dhe Rudoviqët pa tokë.

 

 

 

 

1 Koment

  1. Nëqoft se aqua park nuk ndertohet në oborrin e Rudovicit kjo asht nji fitore e vogel pë ta. Aqua parku asht dasht to punohet me breg the detit, aty ku kurkush nuk e konteston at tokë. Kush prej mesh e kishte pranue që të punohet be oborrin tonë? Ky madhë simbas këtyne documentave asht marrë ilegalisht na Jugosllavia a tash isht koha që autoritet a Malit Zi the bajn aka asht e drejt e t’ju kthehet madhi që the pare e tyne e kane ble në vitin 1857. Ket e din krejt Ulqini. Po. Gjykata malaze e ka gjet të “pavlefshme” ankesen e tyne por jam i bindun qe gjykata kishte vendosë ndryshe në qoft se emni ishte kenë Jovan ose Milan. Rudajt duhet te vazhdojn deri ne mbarim kerkesen e madhit tyne.Asht koha qe edhe Fatmir Gjeka, Haxhibeti etj, to ndihmoj kësaj family e Jo the punojn kunder tyne ashty si baba e gjyshi I tyne u ka ndihme atyne që kanë pasë ma pak me lutë Bajramin megjithse aj ishte Katalik.

Comments are closed.