52 artistë në Berat në koloninë e artit figurativ

    0

    52 piktorë dhe skulptorë nga Shqipëria dhe Kosova janë bërë pjesë e Kolonisë së Artit Figurativ që po organizohet në qytetin e Beratit dhe që do të finalizohet me një ekspozitë ku do të prezantohen veprat e krijuara. Promocioni i vlerave turistike dhe historike të qytetit të 1001 dritareve nëpërmjet artit të pikturës dhe skulpturës, shihet si motivi kryesor i organizimit të kësaj kolonie, e cila vjen e nënta në numër.

    Klodi Kadillari, regjisore e kolonisë, bën me dije se pas rrugëtimit të nisur në qytete të rëndësishme eventi i organizuar nga Instituti i Librit dhe Promocionit, Bashkia Berat, Fondacioni Shqiptaro-Amerikan dhe Botimet Toena, u vendos që vijë në qytetin muze. Emrat e njohur të pikturës në teknikën e peisazhit, si Kujtim Buza, Vangjo Vasili, Ikbale Kalaja, Agron Polovina e Pashk Prevathi u bashkuan me gjeneratën më të re të artistëve.

    “Pas kolonisë së Vlorës dhe bregut të saj, nisma e Institutit të Librit dhe Promocionit që i jep rëndësi më të madhe promocionit turistik dhe kulturor, e solli koloninë në Berat, event ku unisohen së bashku piktorët më të mirë të peisazhit shqipëtar. Pas eventit të Vlorës u hodh ideja për të organizuar një koloni dhe në qytetin e Beratit, e cila është kolonia e nëntë, duke filluar me Vlorën , Gjirokastrën, Ulqinin” thotë Kadillari.

    Piktorët kanë nisur menjëherë nga krijimi sapo janë vendosur në këtë qytet, duke fokusuar në telajot e tyre emocionet që kanë marrë nga lagjet muzeale “Goricë” e ‘Mangalem”, “Kala”, rrjedha e lumit Osum, kryelartësia e malit Tomor, ndërkohë që veprat më të mira do të prezantohen në ekspozitën e kësaj kolonie.

    Grupi i skulptorëve të Kolonisë së Artit në Berat, zhvilloi sot një bashkëbisedim me kryetarin e bashkisë dhe stafin, duke diskutuar ide mbi dekorimin me skulptura të parkut dhe sheshit qendror të qytetit. Skulptorët Mumtaz Dhrami, Maks Bushi, Agim Rada, Idriz Balani, Vladimir Llakaj, Zeqir Alizoti, Artan Marku, Skender Kraja, Arben Bajo, Sadik Spahia, Lambrini Dena, Nezir Ago, Llambi Mita do të krijojnë disa skica ide, të cilat së bashku me bocetat do prezantohen në një ekspozitë të hapur për publikun dhe specialistët në muajin dhjetor.