Stilistja Leonora Basha prezanton koleksionin e parë “MONUMENT” (foto)

0

Stilistja nga Ulqini Leonora Basha ka prezantuar së fundmi  koleksionin e saj të parë të quajtur”MONUMENT”, të sezonit Dimër 2017.

Në lidhje me koleksionin Leonora thotë:

“Inspirimi im për këtë projekt është sub-kultura e hip-hopit. Hip-hopi ka filluar në fund të viteve të 70ta, por kulminacionin e kishte arritur në vitet e 80ta dhe 90ta. Njihet si rrymat më revolucionare, ku përmes saj njerëzit e zi në Amerikë filluan t’i shprehnin zëshëm pakënaqësitë e tyre ndaj diskriminimeve raciste që përjetonin në atë kohë. Përpos në muzikë, hip-hopi kishte ndikim shumë të madh edhe në modë. Hip-hopi në fillim ishte i dominuar nga burrat, të cilët shumicën e kohës me agresivitet dhe frustrim degradonin gratë duke i objektifikuar ato seksualisht në mënyrë vulgare. Vitet e 90ta në hip-hop ishin edhe më revolucionare, sepse gratë e reja filluan të bëheshin pjesë e kësaj sub-kulture. Ato me fuqi dhe krenari filluan ta ndryshojnë “lojën”, duke qenë shumë ekspresive përmes artit të tyre, dhe duke i rrënuar kështu stereotipet banale ndaj grave. Falë tyre, hip-hopi modern nuk është i dominuar aq shumë nga burrat siç ishte në fillim. Ngritja e zërit të tyre asokohe, ka bërë që shumë gra sot të jenë të fuqishme, të guximshme, të pathyera, dhe shumë të zëshme kundër seksizmit. Këto gra (Aaliyah, Eve, Missy Elliott e shumë të tjera) janë figura ikonike dhe kanë një rëndësi shumë të madhe në historinë e hip-hopit. Ato janë monumente. Jo monumente fizike të ndërtuara nga mermeri dhe betoni. Por veprat artistike të tyre, personalitetet ekspresive dhe guximtare janë monumente. Dhe ky është pikërisht koncepti i koleksionit tim – fuqizimi i grave! Vizioni im është që gratë që veshin veshjet e këtij koleksioni të ndihen shumë të fuqishme, dhe të paprekura nga paragjykimet e vrazhda të shoqërisë. Moda është më shumë sesa një copë materiali i prerë në një formë të caktuar. Moda është stil jete, ndjenjë. Përmes modës unë dua që gratë të ndihen më shumë sesa një objekt bukurie. Dua që ato të jenë një monument i pathyeshëm dhe të mbajnë kokën lartë gjithnjë. Ngjyrat kryesore në këtë koleksion janë ngjyrat neutrale. Ato janë të padefinuara. Ngjyrat neutrale në koleksionin tim ndërlidhen me vizionin tim ndaj grave. Ideja ime është që një grua është ajo që definon vetveten e saj. Andaj ngjyrat neutrale simbolizojnë një grua të shkëputur nga definimet e shoqërisë. Një grua konfidente, të fuqishme me plot krenari. Informacione te shtuara: Realizimin e fotografive e beri Valona Cakuli, dy vajzat modele jane Linda dhe Besa, video prezantimin e shkurter e beri Gezim Mavriq. Koha e realizimit te koleksionit ishte reth 4 muaj. ”