Lidhjet me Shqipërinë kanë rëndësi të madhe në zhvillimin ekonomik

0

Komuna e Ulqinit gjatë vitit të fundit ka punuar intenzivisht në projekte të ndryshme ndërkufitare me qëllim të forcimit të bashkëpunimit reciprok. Nënkryetari i komunës Ardijan Mavriqi veçanërisht ka qenë i angazhuar në projektin ndërkufitar Mali Zi-Shqipëria, ku qëllimi kryesor është zhvillimi i turizmit dhe ngritja e ekonomisë.

Ky është një projekt strategjik me impakte rajonale dhe me këtë do të lidhen pjesët e Krajës, pjesët e Podgoricës të cilës i takon liqeni i Shkodrës dhe Ulqini i cili lidhet me Shqipërinë. Sa i përket Ulqinit këtu është paraparë pjesa e cila e lidhet me Shëngjinin dhe Velipojën. Komuna e Ulqinit në lidhje me këtë projekt është në bisedime me Ministrinë e punëve të mbrendëshme të Shqipërisë , Ministrinë e planifikimit territorial dhe me ministritë përkatëse nga Mali i Zi.

Nënkryetari Mavriq pati edhe një takim me përfaqsuesin e Bashkësisë lokale në Krajë Nail Popin, ku u bisedua për hapat e mëtejshëm për të inicuar vendosjen e rrugës që do të lidhë Krajën me Shkodrën në planin hapsinor për zonën bregdetare.

Në takim u fol për rëndësinë e këtij projekti për zonën e Krajës, si dhe nevojën e angazhimit të pandërprerë për realizimin sa më të shpejtë të tij, pasi ekziston një interes i gjërë për këtë projekt.

Edhe pse ndërtimi i rrugës me Shqipërinë nuk do të zgjidhte problemet e Krajës, gjithsesi do të ndihmonte mjaft popullisnë e kësaj ane të kenë një qasje në tregun e madh të Shkodrës, me të cilin Kraja ka qenë tradicionalisht e lidhur.